Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Shqipëria i bashkohet nismës amerikane për eksplorimin e hapësirës

Ferit Hoxha

Shqipëria është bërë vendi i 73-të që u bashkohet Marrëveshjeve Artemis, një nismë e udhëhequr nga NASA dhe Departamenti amerikan i Shtetit për bashkëpunimin ndërkombëtar në eksplorimin paqësor dhe të përgjegjshëm të hapësirës.

Marrëveshja u nënshkrua të hënën në selinë e NASA-s në Uashington nga ministri i Shqipërisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha.

“Ky moment i shton një dimension të ri dhe të rëndësishëm partneritetit strategjik midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara”, tha Hoxha.

Sipas tij, marrëveshja krijon mundësi të reja për të rinjtë shqiptarë dhe për bashkëpunim në teknologji dhe shkencë.

Zëvendësadministratori i NASA-s, Matt Anderson, tha se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, të cilat datojnë më shumë se një shekull, po zgjerohen edhe në fushën e eksplorimit hapësinor.

Çfarë janë Marrëveshjet Artemis?

Marrëveshjet Artemis janë një grup parimesh për bashkëpunimin ndërkombëtar në eksplorimin dhe përdorimin paqësor të hapësirës, me fokus të veçantë te Hëna, Marsi dhe trupat e tjerë qiellorë.

Ato u krijuan në vitin 2020 nga NASA dhe Departamenti amerikan i Shtetit, së bashku me shtatë vende themeluese. Marrëveshjet nuk janë ligjërisht detyruese, por përcaktojnë parime për bashkëpunimin dhe sigurinë gjatë aktiviteteve hapësinore.

Vendet nënshkruese angazhohen për transparencë dhe shkëmbim të të dhënave shkencore, ndihmë për astronautët në raste emergjencash, mbrojtjen e vendeve me rëndësi historike në Hënë dhe shmangien e ndërhyrjeve mes misioneve. Ato përfshijnë edhe masa për kufizimin e mbetjeve hapësinore.

Mes 73 vendeve që janë pjesë e nismës janë Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Australia, Kanadaja, India, Brazili, Ukraina, Koreja e Jugut dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Pjesëmarrja në Marrëveshjet Artemis nuk kërkon që një vend të ketë program të vetin hapësinor. Nisma synon të krijojë një kuadër të përbashkët për bashkëpunimin mes vendeve në aktivitetet e ardhshme hapësinore.

Shqipëria ka nisur tashmë të përdorë teknologjinë hapësinore për vëzhgimin e Tokës. Në janar të vitit 2023, ajo lëshoi satelitët Albania-1 dhe Albania-2 me një raketë Falcon 9 të kompanisë SpaceX nga Qendra Hapësinore Kennedy në Florida.

Nënshkrimi i Marrëveshjeve Artemis i mundëson Shqipërisë të jetë pjesë e këtij kuadri ndërkombëtar të bashkëpunimit në eksplorimin hapësinor dhe të zhvillojë bashkëpunime të ardhshme me NASA-n dhe vendet e tjera nënshkruese.

Në korrik të vitit 2026, Marrëveshjeve Artemis iu bashkua edhe Serbia.