Tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri tregoi solidaritet të pashembullt të qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës në ofrimin e ndihmave materiale e financiare për të prekurit nga kjo tragjedi.
Institucionet e Kosovës ishin të parat që reaguan në këtë situatë emergjente, duke dërguar në afat rekord ekipe për kërkim-shpëtim nga FSK-ja në Shqipëri, raporton KTV.
Por, për shkak të kushteve të krijuara dhe panikut pas tërmetit, një numër i konsiderueshëm qytetarësh nga Shqipëria iu drejtuan Kosovës. Një koalicion i rreth 40 organizatave joqeveritare kosovare, kanë vlerësuar se ky fluks qytetarësh nuk u menaxhua siç duhet.
Në konferencën e mbajtur gjatë së premtes, grupi i organizatave joqeveritare propozoi që Qeveria e vendit të krijojë shtab emergjent qendror, i përbërë nga institucione përgjegjëse që do të ndërmarrin dhe koordinojnë të gjitha veprimet për t’u dalë në ndihmë qytetarëve të strehuar në Kosovë.
Për krijimin e këtij shtabi, grupi i OJQ-ve kanë bërë të ditur se janë të gatshme të ndihmojnë institucionet e shtetit me të gjitha kapacitetet e tyre.