Skitarja italiane që përfaqëson Shqipërinë, Lara Colturi, ka zënë sërish vend në podium. Ajo u rendit e dyta në garën e sllallomit në Kupën e Botës në skijim alpin. Gara u zhvillua të shtunën në Levi të Finlandës.
Colturi ishte përsëri shumë afër që të fitonte. Por mbeti prapa garueses së Gjermanisë, Emma Aicher, me vetëm 43 të qindtat e sekondës pas dy lëshimeve.
Aicher e festoi të shtunën ditëlindjen e 23-të. Ajo është prej skitareve më të mira aktualisht.
Colturi dhe Aicher prijnë në renditjen e skitareve me nga 160 pikë. E treta është Paula Moltzan, që përfaqëson Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
19-vjeçarja Colturi për herën e nëntë zuri vend në podium në garat e Kupës së Botës. E dyta përfundoi edhe në garën e parë të sezonit, në sllallom të madh, në Solden të Austrisë.
Colturi ka folur me respekt për Aicherin.
“Ajo është vajzë e shkëlqyer. Kam kaluar goxha kohë me të. Nuk e di se si mund t’i menaxhojë ajo të katër disiplinat dhe të jetë e mirë në të gjitha”, ka deklaruar Colturi.
Reprezentuesja e Shqipërisë është e kënaqur me fillimin e edicionit në Kupën e Botës në skijim alpin.
“Është start goxha i mirë, kështu që e pranoj. Por e di se mundem edhe më shumë. Ishte vetëm gara e parë e sllallomit”.
Në Levi e treta në podium doli Katharina Truppe.