Me rënien e temperaturave, ekspertët në Britani kanë ndarë disa këshilla se si mund të qëndrohet ngrohtë në shtëpi gjatë muajve të ftohtë, pa pasur nevojë të rritet temperatura e ngrohjes qendrore.
1. Mbajini këmbët ngrohtë
“Këmbët e ngrohta luajnë rol të rëndësishëm në ruajtjen e temperaturës së trupit dhe qarkullimin e gjakut, prandaj duhet t'u kushtohet kujdes”, shpjegon Stephen Hankinson, ekspert i efiçiencës së energjisë në Electric Radiators Direct.
Veshja e çorapeve të trasha dhe të buta është një mënyrë e thjeshtë për t'i mbajtur këmbët ngrohtë. Po ashtu, rekomandohet përdorimi i papuçeve në shtëpi, pasi ato ofrojnë izolim shtesë, mbështetje për këmbët dhe parandalojnë rrëshqitjen në dysheme me pllaka ose laminat.
Një tjetër këshillë është zhytja e këmbëve në ujë të ngrohtë, gjë që ndihmon qarkullimin e gjakut. Pas kësaj, këmbët duhet të thahen mirë për të shmangur ftohjen, shkruan The Independent.
2. Vishuni me disa shtresa rrobash
Veshja e rrobave të ngrohta është e rëndësishme jo vetëm për rehati, por edhe për ruajtjen e funksioneve normale të trupit.
Ekspertët rekomandojnë veshjen e disa shtresave me materiale izoluese, si pambuku i trashë dhe leshi, për të mbrojtur trupin nga temperaturat e ulëta.
Gjithashtu, gjatë mbrëmjeve të ftohta këshillohet të vishni pizhame të trasha dhe një rrobë të ngrohtë shtëpie.
3. Mbyllni hapësirat nga ku depërton ajri i ftohtë
Kontrolloni dritaret, dyert dhe hapësirat e kutive postare për të identifikuar vendet ku mund të largohet ajri i ngrohtë dhe të depërtojë ajri i ftohtë.
Ekspertët sugjerojnë përdorimin e shiritave izolues dhe pengesave të posaçme për dyer, për të parandaluar hyrjen e ajrit të ftohtë.
Izolimi i kulmit dhe mureve është gjithashtu shumë i rëndësishëm për të shmangur humbjen e nxehtësisë.
4. Mbani të mbyllura perdet dhe roletat
Mbajtja e perdeve të mbyllura, veçanërisht kur nuk jeni në shtëpi, ndihmon në ruajtjen e nxehtësisë brenda ambienteve.
Ekspertët rekomandojnë perde me shtresë termike, të cilat ndihmojnë në pengimin e depërtimit të ajrit të ftohtë dhe ruajtjen e ajrit të ngrohtë.
Perdet që prekin dyshemenë janë gjithashtu më efektive në kufizimin e humbjes së nxehtësisë përmes dritareve.
5. Vendosni tepihë në dysheme
Dhomat me dysheme prej guri ose druri mund të humbin shumë nxehtësi.
Vendosja e tepihëve krijon një shtresë izoluese mes dyshemesë dhe pjesës tjetër të dhomës, duke ndihmuar në zvogëlimin e humbjes së nxehtësisë dhe krijimin e një ambienti më të ngrohtë.
6. Përdorni shishe me ujë të ngrohtë
Shishet me ujë të ngrohtë janë një mënyrë e lirë dhe efektive për të siguruar ngrohtësi në pjesë të caktuara të trupit.
Ato mund të vendosen te këmbët ose në pjesën e poshtme të shpinës, për të ofruar ngrohtësi aty ku nevojitet më shumë.
Sipas ekspertëve, kjo është një zgjidhje e mirë për të qëndruar ngrohtë gjatë muajve të ftohtë, duke ulur varësinë nga ngrohja qendrore.
7. Përdorni ngrohëse elektrike
Ngrohëset moderne elektrike ofrojnë ngrohtësi të menjëhershme në dhoma të veçanta të shtëpisë.
Kjo mundëson atë që njihet si ngrohje e zonuar, ku temperatura kontrollohet veçmas në ambiente të ndryshme, sipas nevojës.
Shumë prej këtyre pajisjeve kanë termostate të integruara, të cilat mundësojnë përcaktimin e temperaturës së dëshiruar për secilën dhomë.