Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Shfaqja e spotit kërcënues në serbisht në kabllorët vendorë, KPM-ja po e heton rastin

Programet sportive serbe “Arena sport” që transmetohen nga disa operatorë kabllorë në Kosovë, të shtunën kanë transmetuar spot kërcënues, që ndërlidhet me rastin e Banjskës. Këto mesazhe kanë figuruar edhe gjatë mëngjesit të së dielës.

Komisioni i Pavarur për Media (KPM) ka njoftuar se ka filluar të mbledhë prova dhe se të martën në mbledhjen e saj do të vendosë për rastin.

“Mbrëmë jemi lajmëruar nga qytetarë të shumtë se disa nga operatorët e shpërndarjes që janë të licencuar nga KPM po transmetojnë në platformat e tyre video mesazhe kërcënuese për rendin dhe sigurinë kombëtare. Sot kemi filluar menjëherë me mbledhjen e provave. Nesër i analizojmë gjetjet kurse të martën vendosim për rastin në mbledhjen e Komisioni”, ka shkruar në Facebook, kryesuesi i KPM-së, Jeton Mehmeti.

Në spotin e shfaqur shkruante edhe “Manastiri i Banjskës” dhe data e 24 shtatorit, kur ndodhi rasti.

Serbia ka thurur lavde për sulmuesit që u vranë gjatë aktit terrorist në Kosovë. Madje ka shpallur edhe ditë zie për ta.

Edhe Në kabllorët vendorë shfaqet spoti kërcënues në serbisht Arbëri Në kabllorët vendorë shfaqet spoti kërcënues në serbisht

Situata në veri të Kosovës mbetet e tensionuar që kur më 24 shtator, polici Afrim Bunjaku u vra në Banjskë të Zveçanit nga grupi i armatosur serb. Në një aksion pasues, nga përplasja e Policisë me grupin e armatosur mbetën të vrarë tre sulmues. Për rastin u arrestuan tetë persona, katër prej të cilëve u liruan. Të premten, përgjegjësinë për sulmin e mori Milan Radoiçiq, nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë. Në aksion është kapur arsenal armësh.