Ura në Lagjen e Selmanajve në fshatin Dobërdol të Podujevës është shembur, duke ua vështirësuar qarkullimin banorëve. Në një postim në Facebook të banorëve të këtij fshati, thuhet se shembja ka ndodhur për shkak të kalimit të mjeteve të rënda.
“Ura në lagjen e Selmanajve është shembur, do të thotë ura në këtë lagje më nuk është funksionale! Është papërgjegjësi totale e personave që kanë ngarë këto mjete pune në një urë të vjetër e me fortësi të vogël të kalojnë me gjithë këto pesha të rënda. Kush e vuan gjithë këtë situatë, padyshim që banorët e lagjes dhe në veçanti fëmijët që sot nuk e dimë se si do të shkojnë në shkollë! Turp dhe papërgjegjësi! Lusim organet kompetente të merren me rastin në fjalë!”, kanë shkruar banorët në këtë postim.
Ndërkohë, zyrtarët komunalë kanë thënë se pas marrjes së informacionit për shembjen e urës në fshatin Dobërdol, Komuna e Podujevës ka angazhuar menjëherë një kompani për vendosjen e një ure alternative për t'u mundësuar qarkullimin e qytetarëve të asaj zone.
“Në planifikimet e Drejtorisë për Shërbime Publike është i planifikuar ndërtimi i urës së re për banorët e asaj zone, derisa të bëhet ndërtimi i urës së re qytetarët mund ta shfrytëzojnë për qarkullim urën alternative”, thuhet në njoftimin e Zyrës për marrëdhënie me publikun.
