Ura në rrugën “Bekim Kastrati” në Drenas, që lidh fshatrat Shtrubullovë dhe Krajkovë, vazhdon të jetë jashtë funksionit, pasi është dëmtuar nga vërshimet e fundit. Banorët thonë se, për shkak të rrezikut, detyrohen të përdorin rrugë alternative. E nga Drejtoria e Infrastrukturës në këtë komunë kanë thënë se pa miratimin e buxhetit, nuk kanë mundësi të bëhet zgjidhje për këtë problem
Ura që lidh fshatrat Shtrubullovë dhe Krajkovë, në dalje të komunës së Drenasit, është dëmtuar nga vërshimet e 6 dhe 7 janarit dhe që atëherë ka mbetur jashtë funksionit.
Tashmë janë larguar edhe shiritat paralajmërues për ta ndaluar qarkullimin e automjeteve, që ishin vendosur pas vërshimeve.
Gëzim Tahiri, banor i lagjes, thotë se situata është shqetësuese, sidomos për fëmijët që e kalojnë çdo ditë këtë segment për të shkuar në shkollë.
“Banoj këtu 20 metra larg urës. Realisht, kjo është rrezik shumë për fëmijët që lëvizin në këmbë, për shkak se në çdo moment mund të shembet. Për vetura është e pakalueshme. Që një muaj e sa kohë, unë që 100 metra e kam rrethin, për me dalë në rreth duhet me shku 4 km nëpër Shtrubullovë a ku ta di. Janë pesë a gjashtë fshatra që kanë mbet të bllokuara, duhet me shku në rrugë alternative. Kështu që është një papërgjegjësi e plotë prej komunës edhe institucioneve adekuate që merren me këto çështje”, ka thënë banori Tahiri.
Ai ka theksuar se zyrtarët komunalë kanë dalë vetëm një herë në terren për ta parë nga afër situatën.
“Një herë i kam pa një veturë të komunës, i kam pyet, më kanë thanë: ‘Të shohim, bëjmë diçka’, thoshin me mlu me beton, me ba rrafsh. Po me vendos beton, kjo shembet krejt. Këto vërshime me pasë çdo moment, sapo të nxen te ura, krejt uji hyn në mëhallën tonë edhe mbulohemi nga uji. Kjo është dashur me u intervenu në mënyrën më të shpejtë, por që jemi në Drenas, në Kosovë”, ka thënë ai.
Edhe Ali Berisha, i cili jeton në afërsi të urës, thotë se banorët janë të detyruar t’i paralajmërojnë vazhdimisht drejtuesit e automjeteve për rrezikun që paraqet ky segment në rrugën “Bekim Kastrati”.
“Po shihet edhe me sy të thjeshtë, edhe të gjithë e dinë që këtu është rrezik edhe për fëmijë edhe për qytetarë. Po vijnë njerëz që nuk e dinë se ka ndodhë kjo rrëshqitje poshtë, edhe po tentojnë me i furnizu shitoret, po duhet dikush me vrapu me ju tregu se duhet 5-6 km me u sjellë rrethit për me ardhë. Sot ka qenë rasti te kjo shitore, ka dashtë njëri me hy, i kam tregu se këtu është rrezik për këmbësorë, e për automjete assesi nuk bën me u përdor kjo rrugë. Po shkon një kohë e gjatë, nuk po ndërmarrin kurrgjë, kur dihet se nuk pritet rregullim në këtë gjendje”, ka thënë Berisha.
Drejtori i Infrastrukturës në Komunën e Drenasit, Endrit Gllareva, ka thënë se dëmtimet në urë janë të konsiderueshme dhe për pasojë, ajo aktualisht është jashtë funksionit.
Sipas tij, bazuar në vlerësimet teknike të bëra nga Komuna, riparimi i saj nuk është i mundur.
“Në perspektivë afatmesme dhe afatgjatë, kjo urë do të trajtohet si projekt i ri, duke u planifikuar dhe ndërtuar sipas standardeve bashkëkohore të sigurisë. Megjithatë, pa miratimin e buxhetit nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, nuk kemi mundësi të vazhdojmë me procedurat tenderuese për realizimin e këtij projekti. Deri në sigurimin e mjeteve financiare, institucionet përkatëse do të shqyrtojnë dhe analizojnë mundësitë për një zgjidhje të përkohshme, përfshirë edhe mbështetjen eventuale të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), me qëllim të lehtësimit të qarkullimit dhe garantimit të sigurisë për qytetarët”, ka thënë Gllareva.
Drenasi ishte një nga komunat më të prekura nga vërshimet e janarit.
Deri më 23 janar, Komuna e Drenasit e pati të hapur afatin për aplikim për vlerësimin e dëmeve që u janë shkaktuar banorëve nga përmbytjet.
Sipas Drejtorisë për Emergjenca, nga vërshimet janë prekur 120 familje, me rreth 500 persona, por ende nuk dihet saktësisht vlera e dëmit.