Ura në fshatin Beluçe të Leposaviqit është mbyllur përkohësisht për shkak të dëmtimit nga vërshimet e fundit.
Policia përmes një njoftimi ka thënë se është e angazhuar vazhdimisht në terren me institucionet e tjera relevante, përfshirë komunat përkatëse, Njësinë e Zjarrfikësve dhe Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave, me qëllim të menaxhimit të situatës dhe parandalimit të rreziqeve të mundshme për qytetarët.
Sipas Policisë, vërshime janë evidentuar në qytetin e Zveçanit dhe në Mitrovicë Veri. Ndërkaq, më 8 janar, Policia ka pranuar informatë se në fshatin Beluçe te Leposaviqit, si pasojë e vërshimeve, një urë ka pësuar dëmtime, ku njëra këmbë e urës është dëmtuar.
“Lidhur me këtë rast, Policia ka njoftuar zyrtarët komunal të Leposaviqit si dhe përfaqësuesit nga Ministria e Infrastrukturës, të cilët kanë dalë në terren dhe kanë konstatuar se, për shkak të rrezikut për sigurinë, ura duhet të mbyllet. Si rezultat, ura është mbyllur përkohësisht deri në një vendim të radhës”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, gjatë këtyre ditëve, në qytetin e Mitrovicës së Veriut janë evakuuar katër familje, pasi shtëpitë e tyre janë përmbytur si pasojë e vërshimeve.
Situata aktualisht është e menaxhueshme, ka thënë Policia e Kosovës.