Reshjet e ditëve të fundit kanë shkaktuar vërshime në disa rrugë dhe nënkalime në Kosovë, kryesisht si pasojë e kanalizimeve të bllokuara. Sipas Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, situata ka prekur disa komuna, ndërsa në disa segmente rrugore qarkullimi mbetet i vështirë
Situata në vend si pasojë e vërshimeve vazhdon të mbetet e rënduar.
Agjencia e Menaxhimit Emergjent në raportin për situatën më vërshime ka njoftuar të dielën për disa rrugë të bllokuara në komuna të ndryshme.
Vështirë e kalueshme është një pjesë e magjistrales Prishtinë-Ferizaj.
Segmenti nga rrethi i QMI-së deri tek ai i Marigonës u bllokua për qarkullim të shtunën, ndërsa edhe gjatë së dielës niveli i ujit në atë zonë mbeti i lartë.
Sipas AME-së, një pjesë e madhe e vërshimeve të rrugëve e nënkalimeve është shkaktuar nga bllokimi i kanalizimeve.
“Vërshime në rrugën e Çagllavicës dhe nënkalimin përkatës; Nënkalimi në Shkabaj, rruga për Obiliq, i vërshuar, shumica e rasteve si pasojë e bllokimit të kanalizimeve. Vërshime në fshatin Lismir; Rruga në fshatin Kuzmin e bllokuar për qarkullim; Në Sllatinë të Madhe, afër urës, vërshime të shkaktuara nga kanalizimet e bllokuara; Nënkalimi në dalje të autostradës në fshatin Mazgit i bllokuar nga uji; Vërshim i oborreve në fshatin Radevë”, thuhet në raportin e së dielës të AME-së.
Në të theksohet se reshjet e borës, që në shumë komuna filluan pasditen e së dielës, pritet ta zbusin rrezikun nga vërshimet.
E për mirëmbajtjen e rrugëve magjistrale, drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica, e ka kritikuar Ministrinë e Infrastrukturës.
“Të gjitha rrugët janë të kalueshme, asnjë rrugë nuk është e mbyllur problemin e vetëm që kemi që do të kemi një koordinim më të mirë me Ministrinë e Infrastrukturës për arsye se rrugët që janë në kompetencën e ministrisë e të cilat kalojnë në territorin Komunë e Prishtinës nuk janë mirë të mirëmbajtura dhe për atë arsye paraqesin problem dhe koston po duhet të bartë kryeqyteti”, ka thënë Fushtica.
Probleme me qarkullim gjatë ditës së diel ka pasur edhe në magjistralen Ferizaj-Gjilan, por rruga është rihapur në orët e pasdites.
“Nga ora 15:30, rruga rajonale Ferizaj–Gjilan, në segmentin Ferizaj-Gjilan, fshati Sojev (afër Bondsteelit), e cila ishte e bllokuar për shkak të ujit në rrugë, është liruar dhe tani është e kalueshme për qarkullim. Sipas informatave nga njësitë në terren, të gjitha rrugët në rajonin e Ferizajt (Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Shtërpcë dhe Hani i Elezit) janë aktualisht të kalueshme”, ka thënë Kanun Veseli, zëdhënës i Policisë për rajonin e Ferizajt.
Gjithashtu, vërshime të dielën ka pasur edhe në komunën e Ranillugut.
Në AME kanë njoftuar se në orët e para të mëngjesit të së dielës kanë intervenuar në lagjen “2 Korriku” në Mitrovicën e Jugut, pasi është rritur niveli i lumit Sitnica.
“Është paraqitur kërkesë urgjente pranë Qendrës së Situatave të Këshillit të Sigurisë së Kosovës për angazhimin e FSK-së”, thuhet në njoftimin e AME-së.
Sipas AME-së, në terren janë vendosur rreth 200 metra mur mbrojtës me thasë zalli.