Arbëri

Serweri thotë se s’mjaftojnë sanksionet vetëm nga SHBA-ja

Njohësi amerikan i çështjeve të Ballkanit, Daniel Serwer, ka thënë se sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për biznesmenë serbë të Kosovës dhe figura të njohura në veri duhet të ndiqen me të njëjta masa edhe nga Bashkimi Evropian.

Në Interaktiv të KTV-së, Serweri ka thënë se korrupsioni në veri të Kosovës është përkrahur dhe u ndihmon politikanëve si atyre të Kosovës, por edhe të Serbisë.

“Mendoj se është një hap shumë i rëndësishëm porse së pari duhet të zbardhet si rast para se të jetë plotësisht efikas. Nuk mund të bëni ndonjë gjë të madhe vetëm me sanksionet e SHBA-së ndaj një numri të caktuar njerëzish, na duhet edhe ndërhyrja e BE-së në këtë, e nëse BE-ja nuk mund të ndërhyjë, atëherë shtetet anëtare duhet të ndërhyjnë duke përfshirë këtu edhe Britaninë e Madhe. Po ashtu, ne duhet të shohim edhe sanksionet që sa vijnë e rriten ndaj njerëzve të Beogradit dhe Prishtinës. Kjo nuk është një çështje që i përket vetëm veriut të Kosovës. Korrupsioni në veri të Kosovës është i përkrahur dhe u ndihmon politikanëve të të dyja palëve”, ka thënë ai.

Të mërkurën, SHBA-ja njoftoi për vendosjen e sanksioneve ndaj Zvonko Veselinoviqit, Milan Radoiçiqit dhe 12 të tjerëve.

Serweri ka thënë se s’pret lajme pozitive të menjëhershme pas këtyre sanksioneve. Megjithatë, sipas tij, me kalimin e kohës do të nisë shkatërrimi i fuqisë financiare dhe legjitimitetit politik të hajdutëve, jo vetëm të Kosovës, por edhe të Serbisë.