Arbëri

Serweri i jep disa ide SHBA-së “për ta korrigjuar dështimin diplomatik në Ballkan”

Daniel Serwer

Foto: Alban Bujari

Daniel Serwer, profesor amerikan në universitetin Johns Hopkins, ka dhënë disa ide për Shtetet e Bashkuara të Amerikës për, siç ka thënë ai, korrigjimin e gabimeve që kanë bërë në rajonin e Ballkanit gjatë tre vjet mandati të presidentit Joe Biden.

“Jemi duke hyrë në fazën përfundimtare para zgjedhjeve në SHBA”, e nis shkrimin Serwer në platformën “Peacefare” të shtunën.  “Kjo do të thotë periudhë e varfër për pjesët e botës me prioritet më të ulët (nga SHBA-ja) si Ballkani deri më 20 janar. As Kamala Harrisi dhe as Donald Trumpi nuk kanë gjasa të thonë asgjë për rajonin përpara 5 nëntorit. Edhe pas Ditës së Inaugurimit do të kalojë pak kohë përpara datës kur administrata fokusohet në Ballkan”.

Pikëpamjet e Harrisit për Ballkanin janë të panjohura ndërsa Trumpi u përpoq ta ndante Kosovën, shkruan Serweri.

“Por ajo (Harris) ka kaluar karrierë duke ndjekur kriminelët dhe duke mbrojtur të drejtat e barabarta. Kjo me gjasë ju tregon diçka për qëndrimin e saj ndaj korrupsionit dhe etnonacionalizmit. Trumpi është supremacist i bardhë i korruptuar që u përpoq të ndante Kosovën ndërsa ishte në Shtëpinë e Bardhë. Nëse zgjidhet, ai padyshim që do ta fuqizojë Ric Grenellin për të provuar sërish ndarjen në Kosovë dhe Bosnje. Serbia ka ndikim mbi Trumpin. Jared Kushner (dhëndri i Trumpit) ka kërkuar mundësi investimi atje”, ka shkruar tutje profesori që njeh rajonin e Ballkanit.

Sipas tij, njerëzit në Departamentin e Shtetit dhe në Shtëpinë e Bardhë në këtë “periudhë të varfër” duhet të kërkojnë të korrigjojnë gabimet e tre vjetëve të fundit, të cilat kanë prodhuar, siç thotë Serwer, kryesisht dështim diplomatik në Ballkan.

“Administrata Biden gabimisht u fokusua në krijimin e një Asociacioni statutor të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë. Në Bosnje, me të drejtë u përpoq të çfuqizonte politikanët etnonacionalistë, por ia doli kryesisht me boshnjakët. Këto prioritete dënuan politikat e Bidenit në Ballkan me humbje strategjike. Ata gjithashtu prishën marrëdhëniet me kosovarët dhe boshnjakët, miqtë më të mirë të Amerikës në rajon”, ka shkruar ai.

Serweri më pas jep disa ide “për ta korrigjuar kursin”. Ai supozon që Harrisi do t’i fitojë zgjedhjet, siç edhe dëshiron, dhe këto ide të tij synojnë të zvogëlojnë ndikimin e nacionalizmit etnik. Ato gjithashtu do të rrisnin funksionalitetin e qeverisjes në Kosovën ende të brishtë si dhe në Bosnjë dhe Hercegovinë, sipas Serwerit.

Idetë e Serwerit për SHBA-në:

1. Konsultohuni me kryeministrin e Kosovës Kurti për plan të përbashkët për të vendosur pa dyshim sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit të tij. Kjo përfshin dhënien fund të frikësimit nga Beogradi për serbët që i bashkohen institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe të ketë njohje më të gjerë ndërkombëtare.

2. Miratimi si qëndrim zyrtar i SHBA-së për mbështetjen e kushtëzuar për një Asociacion joqeveritar të komunave me shumicë serbe. Vetë komunat duhet ta formojnë këtë Asociacion në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Kushtet duhet të përfshijnë përmbushjen e obligimeve të Beogradit sipas marrëveshjes në të cilën Prishtina është pajtuar me Asociacionin.

3. Thuani Beogradit publikisht se duhet të japë llogari për keqbërjen e qeverisë serbe të vitit të kaluar. Kjo përfshin kidnapimin e policisë së Kosovës, trazirat kundër KFOR-it dhe komplotin terrorist të Banjskës.

4. Ndaloni fjalët e këqija ndaj ambientalistëve serbë që kundërshtojnë fabrikën e litiumit të Rio Tinto. Filloni të kritikoni publikisht korrupsionin dhe autokracinë në rritje në Beograd.

5. Përfundimi i ndërhyrjes së Përfaqësuesit të Lartë të Bosnjës për të ndryshuar vendimin e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në rastin Kovaçeviq. Vendimi i GJEDNJ premton hap të madh në reduktimin e kontrollit nacionalist etnik të institucioneve shtetërore në Bosnje dhe Hercegovinë.

6. Ngrini akuza penale në SHBA kundër avokatëve serbë dhe kroatë (Milorad Dodik dhe Dragan Çoviq) për ndarjen etnonacionale në Bosnje.

“Ka disa porosi të mëdha në këtë listë. Por dështimi i tre vjetëve të përpjekjeve të gabuara diplomatike të SHBA-së dhe BE-së sugjeron se nevojitet kthesë dramatike”, ka shkruar Serwer.

Serweri ka paralajmëruar “rezistencë të fortë” për këto ide nga presidenti i Serbisë, Vuçiq, i cili thotë se është i përkushtuar ndaj qëllimit të “botës serbe” për të qeverisur serbët në vendet fqinje. Ka pasur sukses në Mal të Zi, thotë Serwer.

“Qeveria në Podgoricë është nën kontrollin e Serbisë. Në Bosnje dhe Kosovë, vetëm ndarja de facto mund t'i sjellë sukses Serbisë. Beogradi do t'i rezistojë të gjitha lëvizjeve të mësipërme, si dhe përfaqësuesit e tyre në vendet fqinje”.

Beogradi rrezikon të bie në mënyrë të pakthyeshme nën ndikimin e Rusisë dhe Kinës, dhe Serwer shkruan se SHBA-ja duhet ta kundërshtojë këtë ndikim me shkopinj dhe me karota. Qasja për ta qetësuar “vetëm me karrota” ka dështuar, shton ai.

“Këtu është rezultati: Amerikanët do të jenë shumë më efektivë në të gjitha këto nëse BE-ja dhe Britania e Madhe do të veprojnë së bashku. Britania ka të ngjarë të ndjekë udhëheqjen e SHBA-së”, ka shkruar në fund Serwer.