TEMPUS

Miftaraj: Mosveprimi i institucioneve në Ballkan po kompensohet me sanksionet e SHBA-së

Ehat Miftaraj

Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, në emisionin “Tempus” në KTV, ka komentuar zgjerimin e sanksioneve të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor.

“Po flasim për 6 vende të Ballkanit Perëndimor, ku mund të themi se nuk është se kanë respekt për sundimin e ligjit, nuk kanë respekt për qeverisjen e mirë. Nëse shohim masat që ndërmorrën në Maqedoni, në muajin dhjetor, nëse s’gaboj u sanksionuan gjyqtarë, prokurorë në këtë shtet”, tha Miftaraj.

Ai theksoi se SHBA po kompenson mosveprimin e institucioneve në këto vende përmes urdhrave ekzekutiv.

“Një e dijmë, që SHBA investon në këto gjashtë shtete me miliona euro në vit në çdo shtet. Vetëm në Kosovë nëse s’gaboj investon përmbi 50 milion euro brenda vitit për sundimin e ligjit”, shtoi ai.

Miftaraj vuri në dukje se dështimi i shteteve për të luftuar korrupsionin dhe mosreagimi ndaj fenomeneve negative kërkon ndërhyrje të fortë nga SHBA.

“Për të, si të themi, me riparu dëmin që po bëhet në terren”, tha ai.

Sipas tij, Bosnja dhe Serbia janë vendet më të përfshira në listat e sanksioneve, pasi këto shtete nuk kanë treguar kulturë për të luftuar korrupsionin dhe kanë një kulturë të pandëshkueshmërisë.

“Për më tepër është një kulturë e pandëshkueshmërisë aq e thellë e instalume që do të thotë nuk ka shpresë që brenda këtyre shteteve do të mund të ndryshojë diçka,” shtoi Miftaraj.

Në Kosovë, sipas tij, në listën e zezë janë kryesisht kompani dhe individë të komunitetit serb.

“Besoj që është një masë që i ndihmon këtyre vendeve me kthy vëmendjen se si duhet të luftohet korrupsioni, se cilat duhet të jenë masat,” tha ai.

Ai apeloi për promovimin e vlerave që shmangin situata ku ndryshohen urdhëra të viteve të kaluara.

“…dhe Kosova në vend që të jetë përjashtim nga shtete e Ballkanit, fatkeqësisht është pjesë e kësaj torte që u Serbia nga administrate Biden në fund të mandatit,” përfundoi Miftaraj./BetimipërDrejtësi