Beograd, 21 mars – Kryetari i Këshillit Drejtues të Forumit për Marrëdhënie Etnike në Serbi, Dushan Janjiq, deklaroi sot se pret që përfaqësuesit e Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, të cilët pritet të vizitojnë Beogradin, se ata do të prezantojnë konceptin e marrëveshjes juridikisht detyruese midis Beogradit e Prishtinës, bën të ditur agjencia serbe e lajmeve, FoNet, transmeton Koha.net.
Ai citohet të ketë thënë se ata nuk do të kërkojnë njohjen e pavarësisë së Kosovës, por që Serbia të mos pengojë pjesëmarrjen e saj në organizatat ndërkombëtare.
Janjiq ka prezantuar qëndrimet e Forumit për Marrëdhënie Etnike, me titull “Normalizimi, rrugë drejt zgjidhjes”.
Janjiq, i cili pret që në Beograd do të vijë “një ekip i fortë” nga Gjermania, thotë se fillimisht duhet të arrihet marrëveshja juridikisht detyruese e pastaj të ndodhë ndryshimi i Kushtetutës, për të cilën ai ka thënë se vuan nga shumë mangësi.
Siç është shprehur Janjiq, historia nuk njeh zgjidhje të përhershme, por vetëm të qëndrueshme e të paqëndrueshme.
Forumi për Marrëdhënie Etnike ka propozuar elemente për marrëveshjen juridikisht detyruese, dhe sipas tyre “palët kontraktuese obligohen që të ndihmohen reciprokisht në përpjekjet që të bëhen anëtare të Bashkimit Europian”.
Edhe
Janjiq: Kosova nuk është kusht i mjaftueshëm për hyrjen e Serbisë në BE
Palët kontraktuese pajtohen që anëtarësimi i tyre në Kombet e Bashkuara dhe në organizatat ndërkombëtare nuk vetëkupton njohjen implicite nga pala tjetër, në përputhje me të drejtën kombëtare, theksohet si propozim elementesh të marrëveshjes juridikisht detyruese, transmeton Koha.net
Forumi propozon që me marrëveshje të parashihet dispozita që palët kontraktuese konfirmojnë se kontestet do t’i zgjidhin vetëm me rrugë paqësore dhe se do të përmbahen nga kërcënimet ose përdorimi i forcës, në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara”.