Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Serbia u kërkon fuqive të mëdha ta sanksionojnë Kurtin, njëjtë si Dodikun

Ministri i Jashtem i Serbise, Ivica Daciq

Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq, ka kërkuar që ndaj kryeministrit Albin Kurti, të vendosen sanksione, njëlloj siç u vendosën ndaj anëtarit serb të Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Milorad Dodik.

Daçiq në një intervistë për televizionin B92, foli edhe për ndalimin e mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë dhe për paralajmërimin se nuk do të lejohen as zgjedhjet presidenciale të Serbisë, të caktuara për 3 prill.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sipas tij, nëse Kurti vazhdon me këtë politikë, do të shkatërrojë “gjithçka është arritur deri më tash në Bruksel”.

Sipas Daçiqit, Kurti duhet sanksionuar, pasi sipas tij, refuzoi kërkesën e shteteve të Quintit, të cilat kërkuan nga Kosova të lejojë mbajtjen e referendumit të Serbisë edhe në Kosovë.

Referendumi i Serbisë u mbajt të dielën që shkoi dhe kishte të bënte me ndryshimet në gjyqësor. Kjo është hera e parë që në Kosovë u ndalua mbajtja e ndonjë votimi, si organizim i Serbisë.

Ditë më parë, SHBA-ja vendosi sanksione ndaj Dodikut, i cili po punon për pavarësimin e Republika Srpskas nga pjesa tjetër e Bosnjës.

“Natyrisht, Kurti është fuqi më e madhe se Quinti, është e qartë se Kosova është një superfuqi botërore”, tha Daçiq me ironi. "Ne do të luftojmë për të drejtën e popullit tonë për të votuar në zgjedhje. Kjo është e drejta jonë sovrane dhe askush nuk mund të na e marrë".