Arbëri

Institucionet kundër që në territor të Kosovës të lejohet referendumi i Serbisë

Me një kërkesë, kryeministri Albin Kurti, iu drejtua legjislativit këtë të shtunë.

Krahas deputetëve të partisë së tij, në këtë seancë të ftuar nga vetë ai, morën pjesë edhe deputetët e LDK-së, të AAK-së, e komuniteteve joshumicë, përfshirë këtu edhe Listën Serbe. Derisa munguan ata të PDK-së.

Nëpërmjet një rezolute, Kurti propozoi që deputetët të kërkonin nga ai që të veprojë për të mos lejuar mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon nga Qeveria dhe institucionet gjegjëse të Republikës së Kosovë që të ndërmarrin të gjitha veprimet brenda kompetencave të tyre, për të mos lejuar cenimin e sovranitetit dhe rendit kushtetues nga mbajtja e referendumit të një shteti të huaj në territorin e Kosovës”, tha Kurti.

Një veprim i tillë u konsiderua i panevojshëm nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Sipas kryetarit të kësaj partie, deputetit Lumir Abdixhiku, kryeministri Albin Kurti nuk është duke guxuar që të marrë një vendim për ndalimin e referendumit të Serbisë.

“A ka diçka rezoluta që të ofron si mjet që përgjegjësia kushtetuese nuk ta jep, A ka diçka shtesë që Kuvendi duhet të të ofrojë ty si kryeministër që s`mund ta zbatosh....”, deklaroi Abdixhiku.

Në Kuvend, shkurt qëndruan deputetët e Listës Serbe, të cilët pas deklarimit të tyre u larguan nga salla.

Shefi i deputetëve serbë, Igor Simiq, tha se me ndalimin e mbajtjes së referendumit, qeveria është duke vazhduar veprimet kundër serbëve.

“Ju po shkelni të drejtat njerëzore dhe të drejtat demokratike, duke dashur që t`i mohoni. Ju bëj thirrje në emër të popullit serb dhe Listës Serbe që të rishikoni vendimin tuaj dhe të mundësoni shprehjen përmes referendumit në pajtim me parimet e deritanishme që kanë vlejtur në vitet e kaluara”, u shpreh Simiq.

Rezoluta e propozuar nga kryeministri Albin Kurti, fillimisht nuk u hodh në votim, kjo për shkak se nuk janë zbatuar procedurat për miratimin e saj. Një gjë e tillë, për disa minuta ngjalli diskutim mes kreut të ekzekutivit e përfaqësuesve të LDK-së.

Zgjidhja u gjend, e ajo ishte që rezoluta të propozohej nga shefja e deputetëve të Vetëvendosjes e më pas e njëjta të harmonizohej me grupet e tjera parlamentare.

Një pikë për të shtuar kishin LDK-ja, derisa AAK-ja pajtohej me atë të propozuar nga partia në pushtet.

Harmonizimi i rezolutës zgjati disa minuta.

Por, pro saj përkundër pajtimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, nuk ishin të gjithë deputetët e saj.

Driton Selmanaj, ishte i vetmi deputet që abstenoi në votimin e rezolutës e cila mori aprovimin e 76 deputetëve të tjera.