Arbëri

Kosova ia ndalon Serbisë ta cenojë me referendum

Me 76 vota për, Kuvendi i Kosovës të shtunën ka miratuar rezolutë nëpërmjet së cilës del kundër mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë, e mbështet ekzekutivin e madje kërkon ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme për të mos lejuar një gjë të tillë, që sipas institucioneve në vend, është kundërkushtetuese e cenon sovranitetin e rendin kushtetues. Përkrahje për propozimin e partisë në pushtet kanë dhënë edhe dy partitë e tjera opozitare, LDK-ja dhe AAK-ja, ka munguar Partia Demokratike e Kosovës. Moslejimi i mbajtjes së referendumit ka nxitur reagimin e Serbisë, derisa institucionet atje, një ditë më herët kanë provuar që ta fusin në Kosovë materialin për votim. Të shtunën vonë kanë dalë me një zgjidhje: votuesit serbë të Kosovës do të mund të votojnë në katër qytete të Serbisë për referendumin që mbahet të dielën

Refuzimi i institucioneve të vendit për mbajtjen e referendumit të Serbisë në territorin e Kosovës, është konkretizuar edhe me një rezolutë të miratuar në Kuvend, ndonëse si e tillë, nuk ka ndonjë fuqi ligjore e as nuk është obliguese. Propozimin për miratimin e saj e bëri kreu i Ekzekutivit, Albin Kurti, në seancën e thirrur nga vetë ai, të shtunën. U miratua pak orë pasi Serbia tentoi ilegalisht të fusë material zgjedhor në Kosovë. Me refuzimin që ia bëri Kosova, u pajtua edhe shteti serb. Të shtunën vonë, disa orë pas miratimit të rezolutës doli me një tjetër zgjidhje: serbët e Kosovës të votojnë në katër qytete serbe. Në Serbi, të dielën do të votohet në referendumin për reforma në gjyqësor.

Kurti: Me ndalim, askujt s’i cenohet e drejta e votës

Image

Në seancë, para deputetëve pjesëmarrës, e që përveç nga partia që ai drejton, Vetëvendosje, ishin edhe ata të Lidhjes Demokratike, të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, e të komuniteteve joshumicë, përfshirë këtu edhe Listën Serbe, kryeministri Kurti ka thënë se me ndalimin e referendumit të Serbisë, nuk është duke iu cenuar e drejta e votës askujt.

Kryeministri ka përsëritur qëndrimin e tij, se qytetarët e Kosovës me dy shtetësi, mund të marrin pjesë në votimin e referendumit, duke votuar në Zyrën ndërlidhëse të Serbisë në Prishtinë. Votimi i lejuar nga autoritetet vendore ndër vite – procesin e të cilit e ka lehtësuar misioni i OSBE-së – Kurti ka thënë se është organizuar nga strukturat ilegale të Serbisë që janë financuar nga Beogradi.

“Një praktikë e gabuar e vendosur ndër vite nuk e arsyeton vazhdimin e gabimit të njëjtë. Pëlqimi i autoriteteve nuk është mbi ligjin e as më pak mbi Kushtetutën. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe duhet të trajtohet si e tillë. Organizimi i votimit jashtë Zyrës ndërlidhëse është kundër parimeve kushtetuese”, ka thënë ai.

Rezoluta e prezantuar nga kreu i Qeverisë, përmbante tetë pika. Por, një pjesë e tyre ishin propozim i kryeministrit Albin Kurti, në emër të Kuvendit të Kosovës, e të cilat kërkonin veprim nga vetë kryeministri, pra nga propozuesi i tyre. Rezoluta niste me shprehjen e qëndrimit të përbashkët të deputetëve se “organizimi i referendumit të Serbisë në Kosovë cenon sovranitetin dhe rendin kushtetues të Kosovës”, për të vazhduar më pastaj me kërkesën që Kuvendi i bën Qeverisë dhe institucioneve të tjera “që të marrin të gjitha veprimet brenda kompetencave të tyre për të mos lejuar cenimin dhe rendin kushtetues të Kosovës nga mbajtja e referendumit të një shteti të huaj në territorin e Kosovës”.

“Kuvendi i Kosovës afirmon të drejtën e qytetarëve me dyshtetësi që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në përputhje me standardet kushtetuese dhe praktikat ndërkombëtare”, përcaktonte ndër të tjerash pika e tretë e rezolutës së propozuar nga kryeministri Kurti.

Çështjet e tjera të përmendura në këtë rezolutë kishin të bënin me votimin e qytetarëve serbë të Kosovës përmes postës e në Zyrën Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, pastaj theksimin se hapja e qendrave të votimit në Kosovë është shkelje e Kushtetutës, e kundërshtimit të veprimeve të Serbisë “për të instrumentalizuar dhe keqpërdorur qytetarët serbë të Kosovës në shërbim të politikave të veta armiqësore ndaj Kosovës”, e për t’u përmbyllur me mbështetjen e qëndrimeve të bashkësisë ndërkombëtare për sundimin e ligjit e shprehjen e përkushtimit për dhënien e kontributit në mbrojtjen e sovranitetit dhe rendit kushtetues.

Me propozimin e kryeministrit, por edhe thirrjen e tij për mbajtjen e seancës, kishin disa probleme partitë në opozitë.

Vërejtjet e opozitës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, deputeti Lumir Abdixhiku, ka thënë se me veprimet e tij, Kurti është duke treguar se nuk e ka guximin që të marrë vetë vendim dhe presionin e marrë nga jashtë është duke u munduar që ta ndajë me Kuvendin.

Sipas Abdixhikut, kreu i Qeverisë ka për detyrim dhe obligim kushtetues që të zbatojë të gjithë mekanizmat në mënyrë që të sigurojë rendin kushtetues në Kosovë. “A ka diçka rezoluta që të ofron si mjet që përgjegjësia kushtetuese dhe definimi i rolit tënd kushtetues nuk ta jep? A ka diçka shtesë që Kuvendi duhet të ofrojë ty si kryeministër që nuk mundesh ta zbatosh rendin kushtetues në tërë territorin e Kosovës?”, ka thënë deputeti i LDK-së, derisa ka renditur arsyet që ka Kosova për të mos pranuar mbajtjen e referendumit të Serbisë.

Në mesin e tyre, ai ka përmendur atë se është në kundërshtim me parimet e demokracisë dhe se me kërkesën e bërë Serbia kërkon që të dëshmojë shtrirjen e sovranitetit serb në territorin e Kosovës.

I qëndrimit se mbajtja e referendumit kushtetues të Serbisë në Kosovës është jokushtetues dhe joligjor, ishte edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Në emër të partisë që drejton kërkoi nga institucionet e vendit që të mos lejojnë “cenimin e rendit kushtetues”, derisa një kërkesë kishte edhe për bashkësinë ndërkombëtare.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në këtë rast edhe Grupi parlamentar e ftojmë bashkësinë ndërkombëtare, veçanërisht aleatët e sigurisë që ta përkrahin Kosovën për ruajtjen e rendit kushtetues të Kosovës. Ftoj spektrin politik, qytetarët që të jenë të bashkuar”, ka thënë Haradinaj.

Ndonëse në fillim morën pjesë në seancë, deputetët e Listës Serbe, këtë e bënë vetëm derisa shprehën qëndrimin e tyre. Shefi i Grupit parlamentar i kësaj partie, Igor Simiq, ka thënë se ndalimi i mbajtjes së referendumit është shkelje e të drejtave të njeriut, dhe akuzoi Qeverinë e Kosovës se është duke vazhduar me veprime “antiserbe”.

“Do të përkujtoj dërgimin e policisë speciale të armatosur deri në dhëmbë në mjediset serbe në veri, inicimin e proceseve gjyqësore të pabazuara kundër njerëzve tanë të shquar dhe tash si kurorëzim të gjithë kësaj, dëshironi që në zemër të Evropës të shekullit 21, të thyeni demokracinë dhe t’ua merrni serbëve të drejtën e shprehjes në referendum”, ka thënë Simiq, duke bërë thirrje që të rishikohet vendimi dhe të mundësohet votimi në pajtim me parimet që kanë vlejtur deri më tani.

Kritikat për procedurë, përkrahja nga institucionet

Image

Me të përfunduar diskutimet nga përfaqësuesit e grupeve parlamentare, rezoluta nuk u hodh në votim për shkak të një diskutimi tjetër që nisi në Kuvend. Ai kishte të bënte me procedurën e ndjekur për miratimin e kësaj rezolute, e me të cilën nuk janë pajtuar përfaqësuesit e LDK-së në Kuvend. Sipas shefit të deputetëve të LDK-së, Arben Gashit, e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e kësaj partie, Kujtim Shala, rezoluta nuk mund të prezantohet nga kryeministri e në fund të saj të mbajë firmën e shefes së deputetëve të Vetëvendosjes. Pas disa diskutimesh, zgjidhja u gjet. Kësisoj rezoluta u prezantua edhe njëherë nga Mimoza Kusari-Lila e Vetëvendosjes.

Derisa, AAK-ja ishte dakord me tekstin e rezolutës së propozuar nga partia në pushtet, LDK-ja, kërkoi që asaj të i shtohet edhe një pikë. Ajo kishte të bënte me kërkesën që Qeveria e Kosovës “të përdorë praktikat më të mira ndërkombëtare dhe të jetë në koordinimin me partnerët strategjik të Kosovës në interes të ruajtjes së kushtetutshmërisë dhe sovranitetit shtetëror”. Kërkesa e LDK-së u pranua, dhe për disa minuta ajo u përfshi në tekstin e rezolutës që në fund mori miratimin e 76 deputetëve.

Kundër kolegëve të tij nga LDK-ja ka dalë deputeti Driton Selmanaj, i cili për dalim nga ta që votuan për miratimin e kësaj rezolute, zgjodhi të abstenojë. Pak orë më vonë një veprim të tillë e arsyetoi në rrjetet sociale. Ai renditi tri arsye për të cilat ka thënë se e “motivuan” të abstenojë. Arsyeja e parë kishte të bënte me konsiderimin e seancës si të “panevojshme, pakuptimtë dhe pa fije substance”. “Asnjëherë nuk ka nevojë që Kuvendi të mblidhet për t’ia kujtuar dhe rikujtuar detyrat kushtetuese që kanë institucionet e tjera”. E dyta, kishte të bënte me atë se seanca “ishte e thirrur nga Albin Kurti për ta shpërndarë një pjesë të përgjegjësisë vendimmarrëse nga pazotësia e tij për të marrë vendime në zbatim të detyrimeve kushtetuese”. Selmanaj renditi edhe arsyen e tretë e cila kishte të bënte me mospërkrahjen e partnerëve ndërkombëtarë. “Është hera e parë në historinë e re të Kosovës, që të gjitha vendet e QUINT-it dalin kundër nesh. Kjo tregon që Albin Kurti me njerëzit e tij ka cenuar rëndë komunikimin dhe bashkëpunimin me ta”, shkroi deputeti i LDK-së.

Image

Miratimin e rezolutës e kanë mirëpritur krerët e institucioneve. Në mesin e tyre edhe presidentja Vjosa Osmani. Ajo përmes një reagimi në rrjete sociale ka thënë se Kosova do të vazhdojë të bashkëpunojë me aleatët që ka kundër veprimeve destabilizuese të Serbisë.

“Mirëpres konsensusin mes grupeve parlamentare në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe miratimin e rezolutës kundër mbajtjes së referendumit të Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës. Institucionet e Republikës së Kosovës njëzëri refuzojnë mbajtjen e referendumit të Serbisë në kundërshtim me normat kushtetuese dhe praktikën ndërkombëtare”, ka shkruar Osmani në “Facebook”.

Deputetët që miratuan rezolutën kundër lejimit të mbajtjes së referendumit, i falënderoi kryeministri Albin Kurti. Sipas tij, praktikat e dëmshme do ndryshohen e ligji do të respektohet. “Kosova është shtet sovran dhe i pavarur, ashtu duhet edhe të trajtohet”, ka thënë ai.

Tentativa ilegale dhe “zgjidhja” e Serbisë

Image

Por rreth dy orë para mesnatës, të premten, institucioneve të rendit, u doli punë me disa mysafirë “pa leje”. Përkundër njoftimit se votimi për referendum nuk do të lejohet të mbahet në komunat me shumicë serbe, dy kamionë e një veturë ia mësynë territorit të Kosovës, por që rruga iu ndërpre në pikën kufitare në Merdar.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, kamionët ishin të ngarkuar me material, i cili dyshohet se do të përdorej për referendum.

“Bazuar në informacionet zyrtare, detyrat dhe autorizimet policore, është ndaluar hyrja në RKS, e këtij materiali i cili po transportohej pa leje përkatëse. Në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, dy mjetet transportuese (kamionët) janë dërguar tek autoritet kompetente doganore, ndërsa pas intervistimit personat me automjetin e tyre janë kthyer mbrapa në Serbi”, thuhet në njoftim, derisa bëhet e ditur se trajtimi i rastit do të vazhdojë të bëhet edhe më tej nga institucionet përkatëse.

Një veprim i tillë i institucioneve të Kosovës, nxiti reagimin e drejtorit të së ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq. Ai madje ka thënë se për një gjë të tillë i ka treguar edhe përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak, derisa ka thënë se në kontakt nuk ka arritur të bie me shefin e OSBE-së në Kosovë.

“Në vend se t’i presin përfaqësuesit e OSBE-së, që është dashur ta marrin materialin dhe ta shpërndajnë në 140 vendvotime, ata u pritën nga dhjetë automjete të Policisë së Kosovës”, ka thëne Petkoviq, për mediat serbe.

Por, në një njoftim të misionit të OSBE-së, thuhet se me Petkoviqin shefi i tyre ka biseduar në mëngjesin e së shtunës. Po ashtu, është bërë e ditur se për shkak se nuk ka pasur pëlqim nga të gjitha palët e përfshira, misioni nuk e ka pasur të mundur që t’i kryejë veprimet për mbledhjen e votave.

“Misioni i OSBE-së ka qenë i gatshëm të kryente një operacion për mbledhjen e votave në përputhje me precedentin e mëparshëm dhe me pëlqimin e të gjitha institucioneve përkatëse, dhe me të vërtetë kishte ofruar një gjë të tillë. Kërkesa thelbësore për kryerjen e një operacioni të tillë është pëlqimi i të gjitha palëve. Në mungesë të pëlqimit, nuk është e mundur që misioni të kryejë një operacion të përmasave të tilla, i cili duhet të respektojë standardet më të larta profesionale zgjedhore”, thuhet ndër të tjerash në njoftimin e OSBE-së.

Kurse kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq, nuk është shprehur i bindur se porositë e ndërkombëtarëve drejtuar Kosovës për lejimin e referendumit do të kryejnë punë.

“Mendoj se ato porosi janë të mirëseardhura. Megjithatë, kjo është mundësi që ata ta shohin vetë se sa do t'i dëgjojnë këta në Prishtinë. Nuk jam optimist shumë i madh në atë drejtim, por ky është një tregues i radhës për rolin që e ka Prishtina në pengimin e secilit dialog”, citohet të ketë thënë ai.

Por të shtunën vonë, Serbia ka dalë me zgjidhje teksa ka kritikuar rezolutën dhe qasjen e Kosovës. Komisioni Zgjedhor i Serbisë ka vendosur që serbët nga Kosova do të mund të votojnë në referendumin e Serbisë në qendrat e votimit në Kurshumli, Novi Pazar, Rashkë e Vranjë. Emrat e votuesve nga Kosova do t’u shtohen listës së 45 qendrave të votimit për të dielën.

Image

Ndryshe, të premten lejimin e mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë “sipas praktikave të mëhershme” e kërkuan ambasadorët e vendeve të QUINT-it. Ndonëse fillimisht bënë të ditur reagimin e tyre kundër vendimit të ekzekutivit për të mos lejuar që procesi i votimit të realizohej në Kosovë, ambasadorët e Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës, Italisë përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, takuan krerët e institucioneve në vend. Pas këtij takimi, krerët e përfaqësive diplomatike në Kosovë nuk pranuan të deklaroheshin e pas tij, udhëheqësit e të tre institucioneve paraqitën në një deklaratë të përbashkët edhe njëherë qëndrimin e tyre se mbajtja e referendumit të një shteti tjetër në territorin e Kosovës është kundërkushtetuese dhe cenon sovranitetin e vendit.

Të dielën, më 16 janar, përmes referendumit, në Serbi synohet që të ratifikohen disa ndryshime kushtetuese, të cilat kanë të bëjnë me gjyqësorin atje. Ndryshimet e propozuara kanë për qëllim harmonizimin e legjislacionit me atë evropian, në procesin e anëtarësimit të Serbisë në BE. Ndryshimet kanë të bëjnë me mënyrën e zgjedhjes së gjyqtarëve dhe prokurorinë në mënyrë që të zvogëlohet ndikimi politik në këtë proces. Këto ndryshime janë përkrahur nga shtete e QUINT-it. Kundër referendumit janë deklaruar partitë opozitare në Serbi, një pjesë e tyre kundër ndryshimeve e pjesa tjetër kundër mbajtjes së referendumit.