Arbëri

Serbia akuzon për shkelje të Marrëveshjes për Telefoninë - AKRK: Hetimet s’e prekin telefoninë

Zyra për Kosovën në Qeverinë së Serbisë e ka akuzuar Kosovën për shkelje të Marrëveshjes për Telefoninë, për, siç ka pretenduar, veprime në drejtim të ndaljes së sinjaleve të telefonisë e televizionit kabllor të MTS-së në Kosovë. Kjo është përgënjeshtruar nga institucionet e Kosovës

Akuza për veprime që shkelin Marrëveshjen e Brukselit për Telefoninë ka bërë Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

MTS-së, që është degë e Telekomit të Serbisë, i është pezulluar licenca e biznesit nga Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve me arsyetimin se e ka një anëtar të menaxhmentit me adresë në Kosovë e që figuron si Serbi.

Shefi i Zyrës për Kosovën, Petar Petkoviq, pretendon se Qeveria e Kosovës ka synim ta bllokojë veprimtarinë e MTS-së, që ka hyrë në sistem të Kosovës në vitin 2015 në bazë të Marrëveshjes për Telefoninë.

Proceset aktive në Autoritetin e Konkurrencës kanë të bëjnë me ligjshmërinë e blerjes së katër operatorëve më të vegjël të shërbimeve të integruara të kabllorit e internetit, si dhe me lejimin apo jo të blerjes së një kompanie tjetër.

Në Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare kanë konfirmuar se nuk ka ndonjë ndryshim lidhur me gjendjen e MTS-së dhe se veprimtaria e saj në përgjithësi është në përputhje me ligjet e Kosovës.

Përjashtim, sipas përgjigjes nga Arkepi, bën rasti kur MTS-ja është dërguar në gjykatë vitin e shkuar, meqë nuk iu ka dërguar përdoruesve mesazhe për konvertim të targave nga ato ilegale serbe në targa të Kosovës.
“Ndërlidhur me rastin e dërgimit të SMS ju njoftojmë se të gjitha veprimet e ndërmarra nga ARKEP kanë qenë në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi. Kjo çështje është ende duke u shqyrtuar në Gjykatën kompetente dhe nuk mund të japim më tepër informacione për këtë rast”, është thënë nga ARKEP.

Derisa Petkoviqi ka deklaruar se i është ankuar Bashkimit Evropian për shkelje të Marrëveshjes, ajo nuk e parasheh rolin e MTS-së për ofrim të shërbimeve të integruara të internetit e kabllorit, por vetëm për telefoninë.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Autoritetit të Konkurrencës, Selajdin Beqa, thotë se hetimi i hapur ndaj MTS-së nuk është unik për sektorin e shërbimeve të internetit e kabllorit.

“Si sektor na ka dalë që ka mjaftueshëm, shkallë të lartë të koncentrimit të ndërmarrjeve. Në këtë rast na del që Artmotion dhe Kujtesa kanë një shkallë të lartë të përqendrimit dhe disa ndërmarrje të tjera që janë prezentë dhe afarojnë në tregun përkatës... Sa i përket ndërlidhjes me telefoninë, ne nuk kemi të bëjmë me këtë pjesë, as nuk kemi bërë hetime. Është çështje që nuk e afekton marrëveshja të cilën po i referoheni, nuk i afekton dispozitat e ligjit të konkurrencës dhe politikën e konkurrencës”, ka thënë Beqa.

Siç ka konfirmuar Beqa, MTS-së do t’i dërgohen brenda javësh konkluzionet e hetimit dhe do të thirret në seancë dëgjimore lidhur me rastet “MTS-1” e MTS-2.

Burime në ARKEP kanë thënë për KOHËN se mbyllja e MTS-së është thuajse e pamundur, meqë statusi i saj është çimentuar prej Marrëveshjes për Telefoninë.

Telekomi i Serbisë po ashtu ka lëshuar komunikata, ku i ka siguruar përdoruesit e MTS-së se kjo kompani nuk do të mbyllet.