Kompania MTS që ofron telefoni, internet e kabllor – degë e Telekomit të Serbisë, është subjekt i dy proceseve të ndryshme në Autoritetin e Konkurrencës. Në këtë autoritet thanë se procesi i parë pritet të përfundojë brenda muajsh. Ata thonë se këtë javë kompanisë që hyri në sistem të Kosovës me marrëveshjen e 2015-s për telefoni do t’i dërgohet ftesë për seancë dëgjimore për rastin ku dyshohet se veproi në kundërshtim me legjislacionin kosovar të konkurrencës.
Dy procese të ndryshme i ka të hapura në Autoritetin e Konkurrencës së Republikës së Kosovës MTS-ja, që është degë e Telekomit të Serbisë.
Rasti i parë ka të bëjë me blerjen e katër operatorëve të tjerë të vegjël që ofrojnë po ashtu shërbime të integruara të internetit e televizionit kabllor pa e njoftuar Autoritetin e Konkurrencës.
Ndërsa e dyta ka të bëjë me atë se po synohet edhe blerja e operatorit “Net Plus” të Graçanicës me mbi 30 për qind të tregut në këtë komunë.
Lidhur me rastin e parë që në Autoritetin e Konkurrencës po e quajnë “MTS 1”, burime thonë se raporti me konstatim të fakteve do t’i dorëzohet këtë javë kompanisë bashkë me një ftesë për ta dhënë versionin e saj në seancë dëgjimore.
Pas kësaj AKK-ja i ka 60 ditë afat për ta nxjerrë vendimin lidhur me këtë çështje.
Në bazë të komenteve që i ka dërguar deri tash MTS-ja, sipas këtyre burimeve, ajo i ka pranuar gjetjet e hetimit të deritanishëm ku vlerësohet se nuk është respektuar legjislacioni i konkurrencës me rastin e blerjes së kompanive “VGN Net”, “Lika”, biznesit individual “Ivan Radosavljeviq” si dhe “Herc International”.
E vetmja vërejtje e tyre deri më tash, siç thonë në Autoritet, është ajo që të zbatohet një dispozitë e ligjit të vjetër për fushën e konkurrencës që e përcakton se maksimumi i gjobës është 2 për qind e jo 10 për qind e fitimeve të tyre.
Telekomi serb thotë se nuk pajtohet me bazën ligjore mbi të cilën është bërë hetimi nga Autoriteti i Konkurrencës.
“Në këtë rast konkret ‘MTS doo’ ka blerë katër operatorë në Kosovë e Metohi në periudhën 2019 e 2021. Në këtë periudhë ishte në fuqi Ligji 03/L-229 për Mbrojtjen e Konkurrencës, në përputhje me të cilin ka vepruar MTS doo – pa e pasur obligimin ta raportojë përqendrimin sa u përket blerjeve në fjalë”.
Në Serbi është politizuar kjo çështje ku partia ultrakonservatore, “Lëvizja për Rithemelimin e Mbretërisë së Serbisë”, ka thënë se kjo është “një mundje tjetër e autoriteteve të Beogradit”.
MTS-ja është një prej kompanive me anëtarë të menaxhmentit me dokumente të Serbisë e me adresa të Kosovës, së cilës i është pezulluar licenca nga Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve.
Megjithëkëtë, Telekomi i Serbisë ka lëshuar deklaratë para pak ditësh duke i siguruar konsumatorët e saj se nuk do të mbyllet.
MTS-ja ka thënë se do të ankohet lidhur me vendimin e ARBK-së.
Kjo kompani hyri në sistem të Kosovës më 2015 në përputhje me Marrëveshjen për Telefoninë.
Ajo ofron shërbime të telefonisë, internetit e kabllorit dhe është operator në fuqi të ndjeshme në treg nëpër komunat me shumicë serbe.
Shumica e fitimeve vijnë nga shitja e shërbimeve të kabllorit e internetit.