Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

ARKEP-i reagon ndaj burimeve rreth MTS-së

Ndërlidhur me publikimin e stories ‘Serbia akuzon për shkelje të marrëveshjes për telekomunikacion’, linku: https://www.koha.net/arberi/388451/serbia-akuzon-per-shkelje-te-marreveshjes-per-telefonine-akrk-hetimet-se-prekin-telefonine/ ku, ndër të tjera, thuhet se “Burime në ARKEP-it kanë thënë për KOHËN se mbyllja e MTS-së është thuajse e pamundur, meqë statusi i saj është çimentuar prej Marrëveshjes për Telefoninë’, ju njoftojmë se ARKEP-i asnjëherë dhe në asnjë rrethanë nuk ka deklaruar se ‘mbyllja e MTS-së është pothuajse e pamundur meqë statusi i saj është çimentuar prej Marrëveshjes për Telefoninë’’.

Sipas Marrëveshjes për Telekomunikacion të vitit 2013, referuar nenit 4, paragrafi i dytë, thuhet se ‘’Autorizimi i përkohshëm (i mts doo) do të skadojë atëherë kur autoritetet e Kosovës japin një licencë të plotë, të pakufizuar për telefoni mobile si rezultat i një tenderi/ankandi. Tenderi do të organizohet në përputhje me standardet e BE-së’’. Gjithashtu, në bazë të kësaj marrëveshjeje mts doo është e obliguar të zbatojë ligjet e Republikës së Kosovës dhe kornizën rregullatore për komunikime elektronike.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Bazuar në këtë që u tha më lart, Marrëveshja e Telekomunikacionit nuk e amniston mts doo në rast të shkeljeve të mundshme, por, përkundrazi, e obligon atë që t’i zbatojë të gjitha ligjet e Republikës së Kosovës. Andaj, konsiderojmë se një lajm i tillë është tërësisht i paqëndrueshëm dhe në kundërshtim me situatën reale, prandaj për hir të informimit të drejtë të publikut kërkojmë që ky demant të publikohet.

Sqarim i Redaksisë së KOHËS


KOHA ka raportuar se burime të saj në Autoritetin Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare (ARKEP) kanë vlerësuar se “mbyllja e MTS-së është thuajse e pamundur, meqë statusi i saj është çimentuar prej Marrëveshjes për Telefoninë”. Redaksia i qëndron këtij raportimi. Me të nuk bie ndesh as reagimi i ARKEP-it, meqë KOHA nuk ka thënë se ky është qëndrimi zyrtar i tij.

KOHA ka raportuar se Marrëveshja për Telekomunikim mes Kosovës dhe Serbisë e vitit 2013 parasheh që kompania (MTS) të funksionojë konform ligjeve të Kosovës. Kjo marrëveshje po ashtu parasheh se kompania do të ketë autorizim të përkohshëm deri atëherë kur autoritetet e Kosovës të japin një licencë të plotë e të pakufizuar përmes një tenderi sipas standardeve të BE-së.

Tender të tillë nuk ka pasur dhe nuk është paralajmëruar se do të ketë. Ndërkohë, MTS-ja operon në terren me të gjithë masat dhe proceset hetimore ndaj saj për shkelje ligjore nga ana e institucioneve të Kosovës, për të cilat KOHA po ashtu ka raportuar.