E bllokuar prej vitit 2016 është zbatimi i Marrëveshjes për Telekomin, që është një prej marrëveshjeve të shumta teknike mes Kosovës e Serbisë. Në BE përgjegjësinë për mos-zbatim ua kanë lënë palëve. E njohës të dialogut thonë se zbatimi i këtyre marrëveshjeve ka mbetur peng i tensioneve në veri dhe zhvendosja e fokusit tek arritja e normalizimit gjithëpërfshirës.
Marrëveshja për Telefoninë vlerësohet si një prej marrëveshjeve më të suksesshme Kosovë-Serbi.
Kosova në bazë të saj u bë me kod telefonik, ndërsa dega e Telekomit të Serbisë, MTS-ja u bë operatori i parë që hyri në kornizën ligjore të Kosovës.
Por, ajo është vetëm një prej marrëveshjeve teknike të nënshkruara në Bruksel së cilës kurrë nuk iu përmbyll zbatimi.
Këtë e konfirmojnë edhe në Autoritetin Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare, ku tregojnë se ka pjesë të kësaj marrëveshjeje që s’u zbatuan kurrë.
Thonë se kjo shkakton rrezik që operatorët serbë të telefonisë t’i hedhin valët brenda Kosovës.
“Ndërlidhur me çështjen e ekipit zbatues pas arritjes së Marrëveshjes së vitit 2016, ky ekip nuk është funksionalizuar. Megjithatë, siç e theksuam më lart, ARKEP ka përmbushur të gjitha detyrimet e saj dhe për mospërmbushjet e detyrimeve të palës tjetër i ka njoftuar institucionet relevante. Njëra nga pikat e paimplementuara ende nga kjo marrëveshje është koordinimi i frekuencave ndër-kufitare për shërbimet mobile, si pasojë e së cilës mund të kemi depërtueshmëri të valëve në brendësi të territorit të Republikës së Kosovës”, ka thënë ARKEP.
Në Bashkimin Evropian kanë thënë se janë vetëm lehtësues të procesit të dialogut dhe janë neutralë.
Përgjegjësinë për moszbatim ua kanë lënë Kosovës dhe Serbisë.
Në një përgjigje për KOHËN, zëdhënësi i BE-së Peter Stano tha se BE-ja është e gatshme të ofrojë edhe asistencën e saj teknike kurdo që i kërkohet.
“Kosova dhe Serbia kanë arritur një numër Marrëveshjesh të rëndësishme në kornizën e dialogut të lehtësuar nga BE-ja, që vijojnë të jenë valide dhe të obligueshme… Derisa një numër Marrëveshjesh është përmbushur plotësisht, të dyja palët kanë lista të gjata të obligimeve të papërmbushura të dialogut për të cila BE-ja pret që palët t’i përmbushin pa vonesa dhe pa parakushte e ndërprerje. BE-ja pret po ashtu që palët të mos lëvizin prapa në obligimet e tyre në dialog… Të gjitha kontestet lidhur me zbatimin duhet të zgjidhen në mjedisin ku janë negociuar, pra në kornizën e Dialogut. BE-ja vazhdon të jetë e gatshme të lehtësojë diskutime të tilla me kërkesën e palëve dhe t’ua ofrojë palëve mbështetjen e duhur teknike që kërkohet dhe që u përshtatet”, ka thënë Stano.
Demush Shasha thotë se marrëveshjet teknike me Serbinë kanë mbetur nën hije, shkaku i ndryshimit të qasjes nga ndërmjetësuesit evropianë.
Sipas tij, kohëve të fundit, shtensonimi i veriut, por edhe nënshkrimi i Marrëveshjes bazë dhe aneksit të zbatimit të saj në Ohër kanë bërë që marrëveshjet teknike të lihen më anash edhe nga kryenegociatorët.
“Mund të themi lirisht se kjo qasje e re ka zëvendësuar natyrshëm punën që është bërë në kuadër të qasjes së vjetër dhe marrëveshjeve sektoriale që janë arritur me qasjen e vjetër. Kjo nuk do të thotë që këto marrëveshje do të anulohen dhe tu dalë afati. Ato thjesht do të integrohen brenda kësaj ombrelle të përgjithshme të qasjes së re të cilën po e udhëheq z. Lajçak, por tani për tani theksi është jo te çështjet sektoriale, por tek çështjet kyçe politike”, ka thënë Shasha.
Qeveria e Kosovës nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me stagnimin e marrëveshjeve teknike aty ku ishin vite më parë.
Kosova vazhdimisht është ankuar për moszbatimin e marrëveshjeve nga ana e Serbisë, përfshirë atë që parasheh shuarjen e strukturave paralele që i ka në Kosovë, atë për menaxhim të integruar të kufirit, njohjen e diplomave, për vulat doganore e certifikata fito-sanitare, e edhe për shkelje të zotimeve që nga 2013-a, që nuk do ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.