Qytetarë në Mitrovicën e Veriut dhe në Leposaviq kanë nisur nënshkrimin e peticionit për shkarkimin e kryetarëve të komunave.
Në sallën e sportit në Mitrovicën e Veriut është parë numër më i madh i qytetarëve që kanë nënshkruar peticionin për shkarkimin e kryetarit Erden Atiq. Në grumbullin e qytetarëve janë parë edhe ish-krerët e Listës Serbe dhe ish-kryetari i Mitrovicës së Veriut nga kjo parti.
Sanja Krtiniq, anëtare e grupit iniciues për shkarkimin e kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, ka thënë se ka pasur vonesa me nisjen e peticionit për shkak të procedurave.
“Kishte ankesa nga më të ndryshmet, nuk e keni plotësuar saktë formularin, ju mungon një letër tjetër, nuk jemi adresa për këtë, etj. Udhëzimin Administrativ që nga fillimi deri në fund e kanë interpretuar si kanë dashur, gjithmonë ka pasur zbrazëtira dhe sa është mundur e si të vonohet. Nëse udhëzimet thonë një gjë, atëherë duhet bërë në atë mënyrë. Nuk mund të interpretohet në mënyrën e vet”, ka thënë Krtiniq.
Ajo ka deklaruar peticioni ka nisur pasi vetëm të hënën mori lejen për ta organizuar në sallën sportive.
“Nga komuna kanë qenë të detyruar të na japin lejen për një hapësirë kur të marrim listën e votuesve. Nuk është bërë kjo, prandaj ne po fillojmë vetëm sot peticionin”, ka thënë ajo.
Por, ajo ka shtuar se është optimiste se do të mblidhen nënshkrimet e nevojshme brenda afatit.
“Ju mund ta shihni vetë se sa njerëz janë këtu. Besoj se brenda një dite do të arrijmë t’i mbledhim 3640 nënshkrime që na duhen”, ka thënë Krtiniqi.
Ndërkohë, në Leposaviq është vërejtur interesim më i vogël i qytetarëve për ta nënshkruar peticionin për shkarkimin e Lulzim Hetemit.

Në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq e Zubin-Potok, iniciuesit e peticionit kanë kohë deri më 22 janar të mbledhin nënshkrimet e nevojshme, e në Zveçan edhe pesë ditë më shumë.
Në udhëzimin administrativ të bërë sivjet, duhet që 20 për qind e votuesve të regjistruar të nënshkruajnë peticionin, për të çuar në votim procesin për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni. Në këtë rast, në Mitrovicën e Veriut, numri i votuesve është: 18,199. Sipas përllogaritjeve, 3,640 votues përbëjnë 20% të trupës elektorale. Nëse konfirmohet nënshkrimi i peticionit nga të paktën 20 për qind e votuesve të regjistruar, në procesin e votimit duhet të votojnë pro të paktën 50 për qind, për ta rrëzuar kryetarin.
10 ditë më parë, kjo komunë nuk e pati pranuar kërkesën e një grupi për t’u regjistruar si grup nismëtar për mbledhjen e nënshkrimeve për shkarkimin e Erden Atiqit.
Udhëzimi Administrativ për shkarkimin e kryetarëve të komunave nëpërmjet peticionit u miratua pasi nëpërmjet protestave, serbë të veriut kundërshtuan zgjedhjen e autoriteteve lokale që morën mandatin në procesin elektoral, i cili u bojkotua nga Lista Serbe.
Për shkak të hyrjes së kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale – me asistimin e policisë së Kosovës – në fund të majit, serbët lokalë organizuan protesta në Leposaviq, Zubin-Potok e Zveçan.
Tensionet u përshkallëzuan në dhunë më 30 maj në Zveçan, pasi protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet mbetën të plagosur dhjetëra persona nga të dyja palët.
Bashkësia ndërkombëtare në krye me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia të ulin tensionet. Nga Prishtina kanë kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja, ndërkaq nga Beogradi që të inkurajojë serbët të marrin pjesë në procesin zgjedhor.