Interesim i madh i qytetarëve serbë është parë mëngjesin e së mërkurës për të nënshkruar peticionet, përmes të cilëve shkohet në votim për shkarkim të kryetarëve të Mitrovicës së Veriut e Leposaviqit. Ata u prinë nga ish-drejtues të Listës Serbe
Ora tetë e mëngjesit i gjeti disa qytetarë serbë te Stacioni i Autobusëve, në afërsi të të cilit nisi mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq.
Me vetura, në këmbë dhe në grupe, ata iu bashkuan thirrjes për firmosjen e peticionit, përmes të cilit do të shkohet në votim për shkarkimin e Atiqit.
Turma u kryesua nga ish-udhëheqësit e Listës Serbe, Goran Rakiq e Igor Simiq, si dhe ish-kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq. Së bashku iu drejtuan Sallës së Sporteve, ku edhe u dhanë nënshkrimet.
Njëra nga nismëtaret Sanja Kërtiniq u shpreh optimiste se qysh të mërkurën do të mblidhen nënshkrimet e nevojshme. Që nisma të konsiderohet e suksesshme në Mitrovicë të Veriut, duhet mbledhur 3 mijë e 640 nënshkrime apo 20 për qind e trupës elektorale.
Kërtiniq tha se ardhja e qytetarëve në grupe nuk ka të bëjë me ndonjë presion.
“Përnjëmend është e panevojshme që kushdo qoftë të polemizojë lidhur me atë nëse kjo është, le të themi, një thirrje e dhunshme e qytetarëve për të ardhur, sepse edhe po ta bëni çfarëdo ankete, edhe vetë e dini se thjesht një kryetar komune që nuk e përfaqëson zërin e popullit tone”, ka thënë ajo.
Numri i qytetarëve që iu bashkua thirrjes u zvogëlua gjatë ditës.
Më ndryshe se në Mitrovicë të Veriut, situata ishte në Leposaviq.
Iniciativa për mbledhjen e nënshkrimeve që hap rrugën e shkarkimit të kryetarit të Leposaviqit, Lulzim Hetemi është duke u mbajtur në një tendë. Në mesditën e së mërkurës interesimi i qytetarëve serbë ka qenë më i vogël
Edhe në Leposaviq, qytetarët serbë hezituan të flasin për iniciativën e shkarkimit të kryetarit, iniciuesit e të cilit ishin të kënaqur me mbarëvajtjen e procesit.
“Peticioni është duke rrjedhur në rregull, gjithçka është në rregull. Pres që do të kemi sukses që të përfundojmë punën tonë siç kemi planifikuar, në përputhje me udhëzimin administrativ”, ka thënë iniciuesi i mbledhjes së nënshkrimeve në Leposaviq, Veselin Radoviq.
Për të pasur sukses peticioni për shkarkimin e kryetarit të Leposaviqit duhet të mblidhen së paku 2 mijë e 689 nënshkrime. Për mbledhjen e tyre, qytetarët e Leposaviqit dhe të Mitrovicës së Veriut kanë kohë deri të hënën, më 22 janar.
Nëse peticionet kanë sukses, atëherë shkohet në votim për shkarkim të kryetarëve.
Në Zveçan dhe Zubin-Potok ende nuk ka nisur mbledhja e nënshkrimeve.