Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Në Mitrovicën e Veriut “tejkalohet” numri i nënshkrimeve të kërkuara për shkarkimin e kryetarit

Ka përfunduar nënshkrimi i peticionit për shkarkimin e kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, ka njoftuar grupi iniciues i peticionit.

Siç ka thënë Sanja Kërtiniq, një nga iniciatoret, veçse “është tejkaluar” numri i nënshkrimeve të kërkuara. Që nisma të konsiderohet e suksesshme në Mitrovicë të Veriut, duhet mbledhur 3 mijë e 640 nënshkrime apo 20 për qind e trupës elektorale.

“Kemi përfunduar procesin. Do t’i kemi rezultatet të hënën. Jemi shumë të kënaqur me procesin”, ka thënë ajo të premten pasdite për KOHËN.

Në udhëzimin administrativ të bërë sivjet, duhet që 20 për qind e votuesve të regjistruar të nënshkruajnë peticionin, për të çuar në votim procesin për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni. Në këtë rast, në Mitrovicën e Veriut, numri i votuesve është: 18,199. Sipas përllogaritjeve, 3,640 votues përbëjnë 20% të trupës elektorale. Nëse konfirmohet nënshkrimi i peticionit nga të paktën 20 për qind e votuesve të regjistruar, në procesin e votimit duhet të votojnë pro të paktën 50 për qind, për ta rrëzuar kryetarin.

10 ditë më parë, kjo komunë nuk e pati pranuar kërkesën e një grupi për t’u regjistruar si grup nismëtar për mbledhjen e nënshkrimeve për shkarkimin e Erden Atiqit.

Udhëzimi Administrativ për shkarkimin e kryetarëve të komunave nëpërmjet peticionit u miratua pasi nëpërmjet protestave, serbë të veriut kundërshtuan zgjedhjen e autoriteteve lokale që morën mandatin në procesin elektoral, i cili u bojkotua nga Lista Serbe.

Edhe Nis peticioni për shkarkimin e kryetarëve të Mitrovicës së Veriut dhe Leposaviqit Arbëri Nis peticioni për shkarkimin e kryetarëve të Mitrovicës së Veriut dhe Leposaviqit

Për shkak të hyrjes së kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale – me asistimin e policisë së Kosovës – në fund të majit, serbët lokalë organizuan protesta në Leposaviq, Zubin-Potok e Zveçan.

Tensionet u përshkallëzuan në dhunë më 30 maj në Zveçan, pasi protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet mbetën të plagosur dhjetëra persona nga të dyja palët.

Bashkësia ndërkombëtare në krye me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia të ulin tensionet. Nga Prishtina kanë kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja, ndërkaq nga Beogradi që të inkurajojë serbët të marrin pjesë në procesin zgjedhor.