Në ditën kur SBASHK-u ka organizuar protestën për të kërkuar rritje pagash për mësimdhënësit dhe nënshkrimin e kontratës kolektive, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka hapur thirrjen e parë publike për mësimdhënësit që synojnë ta marrin “Licencën e Avancuar” për mësimdhënie.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka treguar se thirrja vlen për mësimdhënësit e arsimit fillor, të arsimit të mesëm të ulët dhe të mesëm të lartë në lëndën e matematikës dhe të arsimit të mesëm të ulët dhe arsimit të mesëm të lartë në lëndën e gjuhës shqipe.
“Kjo është thirrja e parë publike që MASHTI e bën për mësimdhënësit e shkollave publike në Kosovë. Thirrja vlen për mësimdhënësit e profileve si më poshtë: mësues të arsimit fillor; mësimdhënës të lëndës ‘Matematikë’ në Arsimin e Mesëm të Ulët (AMU) dhe Arsimin e Mesëm të Lartë (AML); mësimdhënës të lëndës ‘Gjuhë shqipe’ në Arsimin e Mesëm të Ulët (AMU) dhe Arsimin e Mesëm të Lartë (AML). Aplikimi mund të bëhet përmes platformës e-kosova nga sot deri më 19.12.2024. Të gjitha ato/ata që do të përmbyllin suksesshëm këtë proces do të përfitojnë shtesën e performancës. Bashkë, çdo ditë për rezultate të synuara e avancim të performancës në arsim”, ka shkruar Nagavci në një postim në Facebook.
Për licencën e avancuar mund të aplikojnë vetëm mësimdhënësit të cilët janë të pajisur me licencë të karrierës dhe që kanë mbajtur së paku 200 orë për zhvillim profesional.
Ata më pas do t’i nënshtrohen vlerësimit edhe nga Inspektorati i Arsimit.
Shtatë vjet pasi ta marrin këtë licencë, mësimdhënësit mund të aplikojnë për licencën e përhershme, e cila nuk ka afat kohor dhe nuk ka nevojë për ripërtëritje.