Arbëri

SBASHK-u inkurajon mësimdhënësit që të mos testohen

Rrahman Jasharaj, SBASHK

Për ta siguruar licencën e avancuar, nga e cila do të sigurohet pagë më e lartë, mësimdhënësit duhet t’i nënshtrohen një testi të ri. Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, u shpreh e bindur se punonjësit e sistemit parauniversitar nuk do të refuzojnë që të hyjnë në këtë provim. Por përfaqësuesit e Sindikatës i inkurajojnë mësimdhënësit të mos i përgjigjen kërkesës së ministres

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka shprehur besimin, të mërkurën, se nuk do të mungojë gatishmëria e mësimdhënësve për t’iu nënshtruar një testimi të vlefshëm për t’u pajisur me licencë të avancuar. Por, në të njëjtën ditë, Sindikata që përfaqëson mësimdhënësit, ajo e Arsimit, i ka ftuar ata që të refuzojnë testimin.

Në ngjarjen përmbyllëse të Projektit QATEK, i cili ka për qëllim përgatitjen e mësimdhënësve të rinj, Nagavci ka thënë se testimi me shkrim do të fillojë në qershor.

“Synojmë që nga qershori i këtij viti të nisim edhe me provimin me licencë të avancuar për mësimdhënës sipas kritereve që janë bazuar mbi bazën e kritereve profesionale dhe unë jam e bindur që kemi mësimdhënës që janë të gatshëm të aplikojnë për këtë licencë”, ka thënë ajo.

Mësimdhënësit që do të pajisen me licencë të avancuar, në kuadër të Udhëzimit të Ri Administrativ për sistemin e licencimit dhe karrierës së mësimdhënësve do të sigurojnë pagë më të lartë.

Por përfaqësues të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) kanë inkurajuar mësimdhënësit që të mos i përgjigjen ftesës për testim.

duke joshur me gradimin e ka plan për t’ju dërguar e për t’ju degraduar të gjithëve me testin me shkrim për njohuritë tuaja. Ajo po vendos vetë pa përfaqësues të SBASHK-ut, të prindërve, të Kolegjiumit të Drejtorëve, të Asociacionit të Komunave. Kujdes! Duam avancim, por me marrëveshje dhe pa degradim e nënçmim të të gjitha arritjeve tona në gjithë ato vite të studimeve”, thuhet në reagimin e Sindikatës pas deklaratës së ministres.

E, në kuadër të Udhëzimit Administrativ është paraparë edhe një provim shtetëror, të cilit do t’i nënshtrohen studentët që synojnë të ushtrojnë profesionin e mësimdhënësit. Por për këtë nuk u bë e ditur se kur do të fillojë së zbatuari.

Në ngjarjen e organizuar nga Fakulteti i Edukimit i Universitetit të Prishtinës, dekani Blerim Saqipi ka thënë se është i nevojshëm zhvillimi i kapaciteteve tё institucioneve që përgatisin mësimdhënës të rinj e të cilët tregojnë profesionalizmin e dëshiruar në mësimdhënie.

“Ky projekt dhe kjo periudhë nuk na zgjidhin sfidën e madhe të përgatitjes cilësore të mësimdhënësve, por që do të jetë dhe duhet të jetë një pikë kthese dhe e ndryshimeve të iniciuara duhet t’ia japim kohën dhe qëndrueshmërinë”, ka thënë ai.

Projekti QATEK, i cili është financuar nga Bashkimi Evropian, ka filluar në vitin 2020. Prej atëherë, fakultetet e edukimit që funksionojnë në universitetet publike kanë bashkëpunuar me tri universitete në shtete të Bashkimit Evropian, me qëllim të zhvillimit të kulturës së cilësisë në institucionet e përgatitjes së mёsimdhёnёsve para se të nisin shërbimin.