Ymeri Ymeri nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka thënë se Ministria e Arsimit ka dashur t’i përbuzë mësimdhënësit me testin për licencë të avancuar.
Ymeri në “Zgjedhjet në KOHË” ka thënë se edhe 4 mësimdhënësit që kanë kaluar testin për licencë të avancuar, ende nuk kanë marrë pagën me rritje.
“Jemi të sigurt se qëllimi i Ministrisë ka qenë në njëfarë forme me i nënçmuar mësuesit e të thuhet se mësuesit janë të dobët. Dolën e thanë hynë në test kaq numër dhe e kaluan vetëm 4 veta. Edhe ata 4 vetë që e kanë kaluar licencën, jemi te muaji i gjashtë apo i shtatë dhe nuk kanë hyrë në listë pagave me i marrë me rritje. 4 vetë është dashur të marrin sipas licencën edhe diku 150-160 euro shtesë. Qeveria nuk ishte e gatshme atyre t’u sigurojë. Të mos flasim nëse e kalojnë 1000, 2000 apo 3000 veta”, tha Ymeri.
Ai tha se SBASHK ka paralajmëruar veprime sindikale nëse nuk zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për përvojën e punës 15-vjeçare.
“Është ulur me Ligjin e pagave nga 0.5 në 0.25. Gjykata e ka obliguar të kthehet. Kemi kërkuar rritje të vlerës së koeficientit, siç e thotë ligji, sipas rritjes ekonomike”, tha Ymeri.