Pilotimi i provimit për licencë të avancuar ka treguar për mungesë përgatitjeje të mësimdhënësve. Vetëm 7 nga 54 pjesëmarrësit janë pajisur me licencë. Ministria do ta organizojë edhe sivjet provimin, e njohës të arsimit theksuan se ka mungesë përgatitjeje të mësimdhënësve
Cili është qëllimi i fjalive përmbyllëse? Në cilën fjali mbiemri përcakton emrin? Kush është përgjegjës për inicimin e Planit Individual të Arsimit?
Këto dhe pyetje të ngjashme u janë parashtruar 54 mësimdhënësve të shkollave fillore dhe të mesme gjatë testimit për licencën e avancuar në dhjetor të vitit 2024.
Por, vetëm 7 prej tyre e kanë kaluar suksesshëm provimin.
Në Ministrinë e Arsimit kanë thënë se dështimi për ta kaluar testin nuk është shoqëruar me ndonjë pasojë për 47 mësimdhënësit, meqë të tilla nuk parashihen me udhëzim administrativ.
“Është hera e parë që është organizuar provimi për licencë të avancuar, dhe nuk është e thënë se mësimdhënësi i cili nuk e kalon provimin nuk është i denjë për të qenë mësimdhënës i rregullt. Dallimet në mes mësimdhënësit me licencë të avancuar dhe mësimdhënësit me licencë të karrierës tregojnë performancën më të mirë të njëri-tjetrit”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Arsimit.
E, njohësi i arsimit, Rinor Qehaja, thotë se dështimi i shumicës së mësimdhënësve në test flet për mungesën e përgatitjes.
“Nuk gjykojmë që problemi është në pyetje sa në mosvetëdijesim dhe mospërgatitje të mësimdhënësve për pjesëmarrje dhe atyre që kanë qenë pjesëmarrës, mirëpo në secilin rast kjo na prezanton vetëm një pilotim, ka shumëçka për me mësu ministria, ka shumëçka për me mësu komuniteti i mësimdhënësve derisa ta kuptojmë dhe ndërtojmë atë idealen e kapërcimit nga një licencë në licencën tjetër”, ka thënë Qehaja.
Ndërkaq, ish-zëvendësministri i Arsimit, Xhavit Rexhaj, thotë se nuk duhet dekurajuar nga rezultati.
“Ka qenë hera e parë edhe për mësimdhënës por edhe për ministrinë. Ministria nuk e ka kalibruar, nuk e ka përshtatë sa duhet testin edhe mësuesit pa marrë parasysh fushatën e informimit nuk kanë qenë të përgatitur në një farë forme, mendërisht për testin”, ka theksuar Rexhaj.
Sipas Rexhajt, përkundër mangësive, ky proces është i rëndësishëm për ndërtimin e një sistemi të duhur arsimor.
“Problem më i madh i arsimit Kosovar deri tash ka qenë që kur janë ngritur pagat, janë ngritur në mënyrë lineare, e jo në bazë të meritave... Licenca e avancuar edhe licenca e përhershme janë disa nga masat që do ta strukturojnë, do ta formësojnë e me vonë konsolidojnë një sistem të vlerave”, ka thënë ai.
Me Udhëzimin Administrativ, të miratuar në qershor të vitit 2023, mësimdhënësit kanë tri lloje të licencave: të karrierës, të avancuar dhe licencën e përhershme. Provimi për licencë të avancuar do të organizohet edhe sivjet, porse Ministria e Arsimit nuk e ka treguar datën se kur do ta hapë aplikimin.