Ahmeti: Mësimi tërëditor nismë e mirë, por me shumë probleme

1 o. më parë / 18 dhj 2025 22:32
Agon Ahmeti

Agon Ahmeti, drejtor i organizatës për arsim ETEA, ka thënë se mësimi tërëditor është nismë e mirë, por po ka shumë probleme. 

Ai në “Zgjedhjet në KOHË” ka thënë se mësimi tërëditor është reformë kruciale në arsim dhe duhet bashkuar forcat. 

“Mësimi tërëditor është një prej reformave kruciale për arsimin në Kosovë. A është kjo që ka filluar në Prishtinë zgjidhja e duhur? Konsideroj se është nismë e mirë, por ka rreziqe e mangësi që po qarkullojnë e që po dëgjoj në mesin e mësimdhënësve dhe në nivelin e ekspertëve. Natyrisht ato mangësi janë evidente”, tha Ahmeti. “Një prej problemeve parësore është mungesa e harmonisë. Është reformë që duhej të ishte proces i përbashkët me nivelin qendror. Ka mungesë bashkëpunimi në këtë pikë”. 

Ai tha se një nga problemet është infrastruktura e po ashtu tha se problem është se fëmijët nuk po mbahen tetë orë në shkollë dhe po hap telashe për prindërit. Ahmeti ka thënë se është me rëndësi që të mos dështojë mësimi tërëditor, pasi do të ishte kthim prapa.

Ymeri: Qeveria, në vend të librave duhet të ndajë laptopë për nxënësit

1 o. më parë / 18 dhj 2025 22:28
Ymer Ymeri

Ymer Ymeri nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, ka thënë se Ministria e Arsimit do të duhej që në vend të librave, të ndante laptopë për nxënësit. 

Sipas tij, po të blihej kompjuterë për klasë në vend të blerjes së teksteve shkollore, do të ndihmonte edhe në buxhetin e shtetit. 

Ymeri ka thënë se kalimi i blerjes në formë individuale ka shkaktuar dëm të madh të buxhetit.  

“Ministria ndoshta do të duhej të mendonte që të mos i pagujë librat në këtë formën se si po i paguan një nga një prindërit, por të blejë mjete digjitale, ndonjë kompjuter për klasë, pra tekstet shkollore të kalojnë në digjitalizim. Dhe ai nxënës që ti ia blen një herë një pajisje elektronike përafërsisht me shumën që e ndan për dy vjet, ai e përdor për 8-9 vjet. Të gjitha mjetet tjera që shfrytëzohen, pra rreth 20 milionë shfrytëzohen në mënyrë jo të duhur për tekstet shkollore dhe të shkosh nëpër klasë e sheh se një numër i madh i nxënësve nuk i kanë blerë librat, i kanë huazuar. Kalimi i bërjes me shumicë në formë individuale mendoj se ka shkaktuar një dëm të madh të buxhetit”, ka thënë ai.

Ymeri: Qeveria deshi t’i përbuzë mësimdhënësit me testin për licencë të avancuar

1 o. më parë / 18 dhj 2025 21:49
Ymer Ymeri

Ymeri Ymeri nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka thënë se Ministria e Arsimit ka dashur t’i përbuzë mësimdhënësit me testin për licencë të avancuar. 
Ymeri në “Zgjedhjet në KOHË” ka thënë se edhe 4 mësimdhënësit që kanë kaluar testin për licencë të avancuar, ende nuk kanë marrë pagën me rritje. 

“Jemi të sigurt se qëllimi i Ministrisë ka qenë në njëfarë forme me i nënçmuar mësuesit e të thuhet se mësuesit janë të dobët. Dolën e thanë hynë në test kaq numër dhe e kaluan vetëm 4 veta. Edhe ata 4 vetë që e kanë kaluar licencën, jemi te muaji i gjashtë apo i shtatë  dhe nuk kanë hyrë në listë pagave me i marrë me rritje. 4 vetë është dashur të marrin sipas licencën edhe diku 150-160 euro shtesë. Qeveria nuk ishte e gatshme atyre t’u sigurojë. Të mos flasim nëse e kalojnë 1000, 2000 apo 3000 veta”, tha Ymeri. 

Ai tha se SBASHK ka paralajmëruar veprime sindikale nëse nuk zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për përvojën e punës 15-vjeçare. 

“Është ulur me Ligjin e pagave nga 0.5 në 0.25. Gjykata e ka obliguar të kthehet. Kemi kërkuar rritje të vlerës së koeficientit, siç e thotë ligji, sipas rritjes ekonomike”, tha Ymeri.

Rexhaj: Rritja e pagave të mësimdhënësve në mënyrë lineare, gabim i madh

1 o. më parë / 18 dhj 2025 21:44
Xhavit Rexhaj

Ish-zëvendësministri i Arsimit, Xhavit Rexhaj, e ka vlerësuar si gabim të madh rritjen e pagave të mësimdhënësve në mënyrë lineare.

Në debatin mbi atë se çfarë po premtojnë partitë për arsimin, Rexhaj në “Konfront” të KTV-së ka thënë se rritja lineare e dëmton cilësinë në arsim. 

Sipas tij, do të duhej që të kishte dallime varësisht nga vlerësimi në performancë, kontribut e cilësi. 

“Pagat edhe në arsim e në tjerët sektorë në Kosovë janë rritur vazhdimisht në mënyrë të gabueshme, në mënyrë lineare, me meritë ose jo të gjithë kanë marrë njësoj, si mësimdhënësit që kanë punuar shumë e si ata që nuk kanë punuar shumë, njësoj edhe janë trajtuar. Në Kosovë nuk ka dallim për kontribut e cilësi e edhe këto rritjet lineare nuk janë kontribut në cilësi. Kjo rritje prej 50 për qind është 1% e brutoprodhimit shoqëror, të GDP-së së Kosovës, kjo është vlera. Mendoj se një investim i tillë nuk ndikon në cilësi, mendoj se do të duhej që pagat të rriten me një mbështetje, p.sh të lidhet me lincencim, performancë, përvojë, obligimet në shkollë, me angazhim, e ashtu rritet edhe cilësia, rritja lineare për mendimin tim dëmtojnë cilësinë në arsim”, ka thënë ai.