Arbëri

Saiti: Zjarrfikësit e ushtria në Shqipëri pa mjete për shuarjen e zjarreve, e vetmja gjë që kanë është lopata

Gazetari nga Shqipëria, Gazmend Saiti, ka thënë se as zjarrfikësit e as forcat ushtarake që kanë dalë në terren për fikjen e zjarreve atje, nuk i kanë pajisjet e duhura për t’i kryer aksionet e tyre me sukses.

Derisa ka folur për situatën e rënduar me zjarret në Shqipëri, Saiti ka akuzuar qeverinë për mosblerje të pajisjeve për shuarjen e flakëve.

Sipas tij, kur gjendja është alarmante mblidhen kabineti i ministrave për të diskutuar për këtë çështje, ndërsa sapo situata të stabilizohet planet e tyre mbesin në harresë.

“Ka mungesë të pajisjeve të zjarrfikësve për të pasur një mundësi më efikase për fikjen e zjarrit. Aktualisht të gjitha forcat ushtarake, të gjithë zjarrfikësit kanë dalë në mal për të shuar flakët e asnjëri nga ta nuk ka pajisjet e duhura që të jetë efektiv në momentin kur është në aksion. E vetmja gjë që ata kanë është lopata. Kur zjarri është i përmasave të mëdha, e kanë të pamundur ta fikin atë. Sa herë që ka zjarre të mëdha në Shqipëri, mblidhen këshilli i ministrave e diskutojnë për blerjen e pajisjeve dhe kur zjarret fiken të gjitha ngelen në harresë”, ka thënë ai të enjten në “60 Minuta” të KTV-së.

Saiti ka akuzuar qeverinë shqiptare se nuk ka asnjë plan emergjent për krijimin e ekipeve për shuarjen e zjarreve.

“Ushtria nuk ka as këpucë të shkojë e të aksesohet në këto zona kodrinore”, ka shtuar ai.