Shumica e rrugëve në lagjet e kryeqytetit janë të stërmbushura me kabllo elektrike.
Por, kjo pamje jo edhe aq e hijshme së shpejti pritet të përfundojë.
Kompania kosovare për distribuim me energji elektrike tash e pak kohë ka nisur që të largojë pak nga pak këto kabllo, e që së shpejti përçimi i energjisë elektrike do të bëhet në nëntokë.
Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala tregon se përveç kryeqytetit, edhe në disa nga qytetet e tjera të rëndësishme ka nisur një projekt i tillë.
E më e rëndësishmja në gjithë këtë projekt, është eliminimi i rrezikut ku nga moti i vështirë shpeshherë këto hapësira kanë ditur të jenë problematike.
Por që gjatë kësaj periudhe, do të ketë edhe ndërprerje më të shpeshta të energjisë.
E sipas arkitektit, Bekim Ramku, pas këtyre ndryshimeve, edhe pamja e këtyre vendeve do të jetë më moderne.
Megjithatë, sipas tij, jo i gjithë rreziku pritet të largohet.
Ramku thotë se KEDS-i dhe komunat duhet të koordinohen mes vete dhe gjitha ndërtimet e reja që bëhen të jenë me leje të komunës e të mos dëmtohen kabllot nëntokësore.
Ky investim, i cili parashihet të përfundojë vitin e ardhshëm, pritet që ta zgjidhë problemin energjetik të Prishtinës për 30 vjetët e ardhshëm.