Trupat amerikane të KFOR-it janë vendosur në rrugët kryesore në pjesën veriore të Kosovës të premten, ndërsa të enjten nuk u arrit një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë sa i përket targave dhe dokumenteve hyrje-dalje.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të enjten në Bruksel u takua me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut të ndihmuar nga Bashkimi Evropian.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, tha se nuk u arrit marrëveshje për targa e dokumente hyrje-dalje, porse dyja palët janë pajtuar të vazhdojnë diskutimet.
Nëpër rrugët e veriut të Kosovës janë parë forca të shtuara të KFOR-it. Patrulla amerikane është stacionuar përgjatë rrugës kryesore që çon nga Serbia për në Kosovë, nëpërmjet qytetit të Mitrovicës.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, të mërkurën pati takime me kryeministrin e Kosovës, Kurti dhe presidentin serb Vuçiq.
Stoltenberg përsëriti në disa raste se nëse shihet nevoja atëherë do të intervenojnë trupat e KFOR-it, pasi atje janë për të ruajtur paqen e stabilitetin.