Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të mërkurën mbrëma ka kryesuar mbledhjen e Kryesisë së Partisë Përparimtare Serbe, meqë është edhe lider i saj dhe pas takimit ka folur për shumë tema.
Ka folur edhe për situatën në Kosovë, që ai vazhdon ta quajë të rëndë, ndërkohë që ka kritikuar misionin e KFOR-it, për siç ka thënë, bllokadat që ka vënë në veri mes fshatrave të banuara me serbë.
KFOR-i ka shtuar ditëve të fundit prezencën në veri pas ngritjes së tensioneve në prag të vendosjes së reciprocitetit për letërnjoftimet serbe, i paralajmëruar nga Qeveria e Kosovës.
Sipas Vuçiqit, kjo prezencë dhe postblloqet e KFOR-it po pengojnë qarkullimin e serbëve. Ka thënë se edhe do t’i shkruajë letër NATO-s, ndërkohë që ka kritikuar misionin për ushtrimet e përbashkëta me FSK-në.
“Lidhur me KFOR-in dhe atë që po bën NATO, në dy-tri ditët e ardhshme pas bisedimeve me ndërmjetësuesit, do të dërgoj një letër, sepse rolin e NATO-s dhe KFOR-it e interpretojmë ndryshe. Janë ata që bllokojnë lëvizjen. Kundër të cilëve po luftoni kur vendosni barrikada mes dy vendeve serbe ku pothuajse nuk ka popull apo automjet shqiptar. Qëllimi juaj është të mbroni popullatën serbe, pse i ndihmoni shqiptarët që ta shtypin atë pakicë, pse praktikoni keqtrajtimin e serbëve me ta? Kjo është puna juaj apo të ndihmoni serbët të qëndrojnë në vatrat e tyre? Dëshironi ende të hidhni bomba tymosëse? Kriza zgjidhet me bisedime politike, ju kërkojmë vetëm të respektoni marrëveshjet që janë nënshkruar”, ka thënë Vuçiqi, përcjell gazeta serbe “Novosti”.
Në mbledhjen e mbajtur të partisë, Vuçiqi tha se është vendosur edhe se kush do të jetë kryeministër i Serbisë, mirëpo vendimin do ta bëjë të ditur të premten mbrëma ose të shtunën në mëngjes.
“Sot s’do të flas për kryeministrin. Vendimin do ta bëjë publik si president i vendit”, tha ai.