Arbëri

Rizvanolli: Oda Ekonomike po u bën presion bizneseve

Rizvanolli

Foto: Driton Paçarada

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se i kanë ftuar në takim bizneset lidhur me daljen në treg të lirë, por se sipas saj, Oda Ekonomike po u bënë presion që të mos mbajnë takime, por të protestojnë.

Rizvanolli ka shtuar se po angazhohen për të adresuar shqetësimet e bizneseve lidhur me daljen në treg të lirë, megjithatë ka theksuar se vendimi hyn në fuqi nga java tjetër.

“Uroj që Oda Ekonomike ta ketë përcjellë ftesën për takimin e dakorduar dje..... Menjëherë pas takimit të djeshëm dhe pas zotimit të kryeministrit që kryeministri do tu qëndroj pranë bizneseve, në media pamë ftesën për bllokim... Ne kemi dëgjuar që bizneset kane presion nga OEK për të mos marre pjesë në takime për të mos pranuar oferta e për te dalë në protesta”, ka thënë ajo në konferencë për media.

Rizvanolli i ka quajtur të pavërteta deklaratat se KESCO blen energji më lirë dhe e shet atë në treg të lirë më pas.

“Nuk është e saktë që KESCO do ta blejë energjinë me 30 euro e do ta shesë në treg të lirë. Të gjithë furnizuesit tregtarë kanë qasje në energjinë shtesë të KEK. Nuk është e saktë që KESCO ka të drejtë ta blej me 30 euro energjinë e ta shes në treg të lirë”.

Rizvanolli ka thënë tutje se ZRRE-ja ka marrë informata nga gjashtë furnizues që janë aktivë dhe që mund të japin oferta.

“Pesë prej tyre kanë dhënë oferta e disa prej tyre kanë thënë se kanë nënshkruar kontrata”, ka thënë ajo, duke shtuar se KEK-u është mundësi e fundit si furnizues.