Në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, Rinia Demokratike e Kosovës ka protestuar para Qeverisë së Kosovës me moton – “Ktyne nuk ua nin për neve”.
Të rinjtë e PDK-së nga të gjitha komunat e Kosovës janë mbledhur para Qeverisë për të shprehur pakënaqësinë e tyre në lidhje me politikat qeverisëse.
“Pushtetarët po pasurohen – rinia po largohet”, “Kryeministër, a je tu e pa, rinia po ikë?”, “Kryeministër, sa çifte të reja përfituan banesa me çmim të përballueshëm?”, “Pse nuk e ndërtuar stadiumin kombëtar?”, “Sanksionet e BE-së dhe SHBA-së: Qeveria vepro – rinia pëso”, “Ku janë fondet për dixhitalizim”, ishin disa nga pankartat që prezantuan ata.
“Vetëm në dy vitet e fundit janë larguar rreth 100 mijë të rijnë nga Kosova. Të rinjtë në Kosovë, çdo ditë po ballafaqohen me kosto të lartë të jetesës, mungesë të infrastrukturës së nevojshme për të zhvilluar veprimtaritë e tyre, mungesë të vendeve të reja të punës”, ka thënë Arbnora Salihu, kryetare e Rinisë Demokratike të Kosovës.
“Një gjë është e vërtetë. Kjo Qeveri po dëshmon se nuk ua nin për neve. Prandaj, edhe ne, nuk kemi kurrfarë arsye për të festuar por vetëm për të protestuar”, ka përfunduar Salihu./ EO