Rinia Demokratike e Kosovës ka zhvilluar të shtunën aksion simbolik para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke protestuar kundër rritjes së çmimeve të energjisë elektrike dhe faturave të larta të rrymës.
Përfaqësues të RDK-së thanë se protesta ka për qëllim ngritjen e zërit për vështirësitë e përditshme me të cilat po përballen qytetarët për shkak të krizës energjetike.
“Sot jemi këtu para Qeverisë jo për statistika e propagandë, por për ta ngritur zërin për vështirësitë që po i përjetojmë çdo ditë. Jemi këtu për krizën energjetike dhe për faturat e rrymës që po bëhen të papërballueshme për familjet tona. Jemi këtu për prindërit tanë, të cilët po detyrohen të zgjedhin mes ngrohjes dhe ushqimit, për studentët që mësojnë në terr dhe për qytetarët që po pyesin se sa do të rriten edhe më tej faturat e energjisë”, u tha në protestë, transmeton EO.
RDK-ja ka kritikuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti, duke e akuzuar se po i nënçmon qytetarët me deklaratat e tij.
“Albin Kurti po tallet me qytetarët duke thënë se po ngrohemi më shumë sesa duhet. Sot e pyesim publikisht: kush po e shpërdoron energjinë – qytetari që mezi ia del deri në fund të muajit apo qeveria që ka bllokuar qindra miliona euro investime dhe e ka lënë Kosovën pa prodhim të mjaftueshëm vendor? Kush po e rrezikon sistemin – familjet që mezi po mbijetojnë apo pushteti që prej vitesh ka bllokuar projekte që do të sillnin energji dhe vende pune?”, thanë ata.
Së fundmi, KESCO ka kërkuar që sivjet çmimi i rrymës të rritet për 21.3 për qind.