Për rreth katër vjet gjykata nuk ka mundur të marrë vendim për një rast të dhunës në familje, viktimë e së cilës ishte një grua që vdiq derisa lënda e saj po trajtohej.
Avokatja Bedrie Berisha-Rexhepi, mbrojtëse e viktimës, ka thënë se gjykata ka dështuar të ofrojë drejtësi në kohë për gruan, por se theksoi se nuk është kurrë vonë që drejtësia të arrihet.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoAjo ka treguar se gruaja derisa ishte në procedurë gjyqësore për dhunë në familje ka vdekur, dhe se lënda e viktimës ka qenë në gjykatë nga viti 2022, por se ka ngecur disa herë. Avokatja ka thënë se për këtë lëndë janë ndërruar tre gjyqtarë, gjë që ka bërë që procedura gjyqësore të nisë krejt prej fillimit tri herë.
“Për rastin që po flasim klientja ime ka qenë viktimë e dhunës në familje nga viti 2022 kur lënda ka shkuar me aktakuzë në gjykatë, janë mbajtur më shumë se 10 seanca. Në sistemin e drejtësisë është e paraparë proceduralisht që në situata kur një gjykatës e trajton lëndën dhe i njëjti për arsye personale ndërron departament apo pozitë, lënda i kalon gjyqtarit tjetër. Në këto raste kur ka kaluar më shumë se 6 muaj në moscaktimin e seancës tjetër, gjithçka fillon nga fillimi. Në rastin e klientes time kemi pasur tre gjyqtarë që janë ndërruar. Fatkeqësia më e madhe është se viktima është marrë në pyetje në Polici, në Prokurori, pranë gjyqtarit të parë, të dytë dhe fatkeqësisht në gjyqtarin e tretë të caktuar ka ndërruar jetë”, ka treguar avokatja.
Ajo ka theksuar se rastet e tilla duhet të jenë reflektim serioz për sistemin e drejtësisë.
Sipas Berisha-Rexhepit, rastet e dhunës në familje zvarriten me vite nëpër gjykata, e një gjë të tillë ajo e quan aspak korrekte e joligjore.
Berisha-Rexhepi ka thënë se problemi pse zvarriten rastet e dhunës në familje është te procedura në gjykatë, shpejtësia e trajtimit dhe menaxhimi i lëndëve brenda gjykatave. “Këtu çalon sistemi i drejtësisë”, theksoi ajo.
Ajo ka kërkuar që mekanizmat shtetërorë të punojnë në parandalim të rasteve të dhunës.
“Kosova si shtet nuk ka nevojë për më shumë veprime pasi të ndodhë një pasojë. E kemi parasysh se kur ndodh pasoja, angazhohet i gjithë mekanizmi shtetëror. Kosova ka më shumë nevojë për një shtet para se të ndodhë një fatkeqësi, dhe shteti para se të ndodhë një fatkeqësi nënkupton parandalim, koordinim, mbështetje sociale. Po dështon në të gjitha”, ka thënë ajo në “60 Minuta”.