Hashim Rexhepi, ish-guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës, që ishte arrestuar në vitin 2010 për shpëlarje parash e më pas ishte liruar si i pafajshëm, është shprehur i bindur se politika ka pasur gisht në arrestimin e tij që atë kohë ishte bërë me shumë bojë.
Në emisionin “Konfront” të Kohavisionit të enjten, Rexhepi ka thënë se qysh para arrestimit e ka ditur se çka e priste. Ai ka refuzuar të ndërlidhë rastin e tij me atë të kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, që u arrestua javën e shkuar, e që u kthye në debat politik duke e ndërlidhur edhe rastin e Rexhepit. Për këtë ka thënë shkurt se “s’po arrihet pjekuria e nevojshme për vlerësimin e gjërave si duhej”.
“Atëherë e kam ditur që po përgatitej arrestimi im dhe shkaqet dhe kush po i prin arrestimit dhe s’kam qenë shumë i befasuar. Më pyetnin përse edhe gazetarët kur të arrestuan buzëqeshje edhe kur dole nga arresti njëjtë. Jam ndier ashtu sepse publiku i gjerë s’e dinte se çka po ndodhte. Kanë menduar që jam krimineli kryesor i Kosovës. sepse ashtu u krijua opinioni publik e unë e dija çka po ndodhte prapa. Kisha shumë informacione e konfrontime paraprake që i paraprinë arrestimit tim. E kam ditur në njëfarë mënyrë se kush po qëndron prapa dhe pse po ndodh kjo”, ka thënë ai.
Rexhepi është shprehur i bindur se në rastin e tij sistemi i drejtësisë ka qenë i kontrolluar nga politika.
“Kam qenë i bindur edhe atëherë dhe sot mendoj që një pjesë të madhe, drejtësia ka qenë e kontrolluar prej qendrave politike, duke nisur nga policia hetuese, prokuroria e gjykatat. Në rastin tim jam i bindur se është e kontrolluar. Fati i madh ka qenë që edhe pse në fazën fillestare kur nisi gjithçka, ishin gjyqtarët vendorë, por fati i madh që në fazën e mëtejme gjyqtarët ishin të EULEX-it dhe po konsideroja se po vepronin pavarur. Në vendimin final isha i bindur se do të dilte pafajësia sepse s’kishte asgjë”, ka thënë ai duke shtuar se qysh në vendimin për arrestim ka pasur shkelje të kushteve.
Rexhepi ka treguar se qysh në momentin kur ishte arrestuar, polici i kishte thënë se është çështje politike.
“Në atë kohë, ishte krijuar Task-Forca anti-korrupsion dhe rasti i parë isha unë. Ajo i raportonte direkt kryeministrit. E di kur më çuan në paraburgim, isha në atë kombin e Policisë dhe kërkova nga policët të ma thirrin policin hetues dhe ai erdhi dhe nisa të bisedoj e a je i vetëdijshëm çka po bëni. Ai vetë më tha ‘bëhu i fortë se kjo është politikisht’. Do të thotë ishte i ndikuar nga politika të marrë këso veprime dhe të më arrestojë. I bindur 100 për qind se ishte rast i urdhëruar prej politikës”, ka thënë Rexhepi.
Prokurori i rastit të Rexhepit, Nazmi Mustafi, më pas ishte dënuar për përfshirje në korrupsion.