Seanca e thirrur për të debatuar lidhur me arrestimin e kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, i ka përballur me debate të ashpra pushtetin e opozitën. Partitë opozitare ngritën dyshime se në këtë skemë është e përfshirë edhe Qeveria, ndërsa pushteti mbrojti Krasniqin me arsyetimin se i ka sjellë fitim KEK-ut. Po ashtu, arrestimin e tij përfaqësuesit e LVV-së e krahasuan me atë të disa vjetëve më parë, kur prokurorët, sipas tyre, me urdhër të zyrtarëve të lartë të PDK-së kishin arrestuar guvernatorin e BQK-së, Hashim Rexhepi, që më pas u shpall i pafajshëm
Debat të gjatë e me polemika të shumta kanë zhvilluar deputetët e Kuvendit të Kosovës në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga Partia Demokratike e Kosovës për të diskutuar lidhur me arrestimin e kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi. Krahas akuzave të Prokurorisë që rëndojnë mbi Krasniqin, opozita hodhi një varg dyshimesh të tjera, të cilat thanë se e përfshijnë në keqpërdorime edhe kryeministrin Albin Kurti. Grupi parlamentar i PDK-së deklaroi se me nënshkrimin e Nagip Krasniqit janë dhënë 30 kontrata njëburimore në vlerë prej 72 milionë eurosh të cilat, sipas tij, e shpërfaqin abuzimin e Krasniqit ndaj të cilit ai thotë se nuk ka ndërhyrë Qeveria.
Shefi deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, është shprehur se ende ka dyshime që të martën e kaluar të jetë suspenduar Krasniqi, meqë ka thënë se nuk kanë parë kurrfarë vendimi. Sipas tij, paraburgimi i Krasniqit është i arsyeshëm.
“Nuk po flasim për një njeri të rëndomtë që ka qenë më herët në KEK dhe është emëruar drejtor, por ne po flasim për arrestim të personit kyç në LVV që drejtonte komitetin e politikave që lidheshin me energji. Për pesë muaj KEK-u ka nënshkruar në vlerë prej 72 milionë eurosh 30 kontrata njëburimore të Nagip Krasniqit, i cili sot besoj se është me plot të drejtë në paraburgim”, ka thënë Tahiri.
Por, kryeshefit tashmë të suspenduar të KEK-ut i doli në mbrojtje pushteti. Kryetarja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se opozita e ka përdorur ndihmën e mikut duke aluduar në Prokurorinë, në të cilën, sipas saj, partitë opozitare mund të llogarisin edhe kur nuk kanë fakte. Ajo tha se nën drejtimin e Nagip Krasniqit KEK-u ka realizuar fitim rekord në vlerë prej 107 milionë eurosh, çfarë s’ishte parë më herët.
“Betejën e parë më të ashpër në këtë Kuvend e keni bërë për sektorin e energjisë. Për një muaj radhazi Kuvendi ishte në bllokadë tërësisht. Përkundër se ju kemi ofruar të bëjmë hetim prej shpalljes së Pavarësisë, ju keni insistuar qe të hetohet veç Qeveria Kurti duke e ditur që keqpërdorimet në energji janë të ndërlidhura ndër vite. Hetimi nuk nxori asnjë të gjetur që mund ta mbanit përgjegjës Qeverinë. Përdorët thirrjen e mikut. Kjo thirrje rezultoi në një arrestim spektakolar duke e nxjerrë me duarlidhur një zyrtar të rangut të lartë shtetëror, pa dashur të paragjykojë mbi fajësinë apo pafajësinë e Krasniqit. Po e bëj një paralele me arrestimin e ish-drejtorit të BQK-së, Hashim Rexhepi. Arrestime të tilla nuk ndodhin pse i jepen tenderë dikujt, por pse nuk i jepen tenderë dhe kontrata dikujt tjetër”, ka thënë ajo në Kuvend.
Përveç deputetëve të Vetëvendosjes, Krasniqi u mbrojt edhe nga ministrat e Qeverisë.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga PDK-ja për kryeshefin e pezulluar të KEK-ut nuk është më shumë se një spektakël për ta tërhequr vëmendjen nga miratimi i vendimit për liberalizimin e vizave, për pranimin e aplikacionit në Këshillin e Evropës dhe zgjedhjet në veri.
“Kuvendi dhe deputetët normalisht që janë për t’u shërbyer qytetarëve. Nëse e shohim agjendën, ka shume pika të papërfunduara. Megjithatë, ky Kuvend ka vendosur të mos votojë për ato pika, por ka thirrur debat për t’i thënë Qeverisë që të mos flasë për KEK-un. Kjo nuk është asgjë më shumë sesa një spektakël për ta tërhequr vëmendjen nga miratimi i vendimit për vizat, për Këshillin e Evropës e për zgjedhjet në veri”, ka thënë Murati në Kuvend.
Ai e ka akuzuar sistemin e drejtësisë për arrestimet spektakolare që bën. Sipas tij, ata që nuk po u hapin rrugë keqpërdorimeve po arrestohen duke dalë duarlidhur nga zyrat, ndërsa keqbërësit e vërtetë po thirren me ftesë nëpër gjykata. Ka thënë se pushtetet e kaluara kanë abuzuar me sistemin e drejtësisë, duke përmendur po rastin e guvernatorit Hashim Rexhepi, që 13 vjet më parë ishte arrestuar më shumë bujë, por ishte liruar si i pafajshëm.
“Kur u pati arrestuar Hashim Rexhepi akuzat ishin të hatashme, nuk shkuan disa muaj akuzat u hodhën poshtë dhe së fundmi ka fituar rastin kur shteti duhet ta dëmshpërblejë 200 mijë euro. Pse është arrestuar atëherë kur ka qenë i pafajshëm, vetëm duhet t’i dëgjojmë intervistat e tij pas lirimit nga arrestimi. Kishte qenë Ahmet Shala dhe Sami Lushtaku që i kishin shkuar në zyrë për të ushtruar presion që t’i jepej licenca një kompanie private të sigurimit. Kishte pasur tentim për të ushtruar ndikim që paratë e trustit të qytetarëve të investoheshin në një bandë. Kjo tregon qe rasti i tij s’ka qenë as i pari, as i fundit i abuzimit me sistemin e drejtësisë”, ka thënë Murati.
Qëndrimet e pushtetit, ka thënë kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, po bëhen nën presion meqë, sipas tij, janë detyruar nga dikush tjetër të mbajnë fjalime mbështetëse në Kuvend.
“Më shumë keni ardhur sot se kur keni seanca të rregullta. E keni një zor të madh. Por, unë e di, i bindur jam që nuk jeni të përfshirë shumica dërrmuese këtu ndoshta asnjë ama mos ua bëni argatin atyre që keni me u kuq nesër”, ka thënë Krasniqi.
Haxhiu ia kujtoi Haradinajt prokurorin Blakaj që për shkak të kërcënimit iku në SHBA
Diskutimet e pushtetit anuan në kritika e akuza ndaj Prokurorisë, ashtu siç bëri një javë më parë kryeministri Kurti, i cili nuk u duk fare në këtë seancë të jashtëzakonshme. Por, pavarësisht mosprezencës së tij, ai mori sërish kritika nga opozita. Për kreun e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, është e papranueshme që kryeministri t’i dalë në mbrojtje një të arrestuari e të akuzojë Prokurorinë.
“Kryeministri i Kosovës e ka mbrojtur njeriun e arrestuar dhe jo prokurorin dhe a e dini pse, se është i shantazhuar nga dostat. Albin Kurti me vetëdije e ka krijuar modelin e korrupsionit - lidhje e shkurtër me dosta, ndër këta dosta është edhe ministrja e Drejtësisë”, ka thënë Haradinaj.
Atij iu kundërpërgjigj ministrja Haxhiu duke thënë se Haradinajt nuk i takon të flasë për ndërhyrjen në drejtësi, pasi ia përmendi një rast që kishte ndodhur gjatë kohës që ai udhëhiqte Qeverinë.
“Ndoshta ju kujtohet që në Republikën e Kosovës prokurori special, Elez Blakaj, është detyruar ta lëshonte vendin për shkak teje, z.Haradinaj. Kur flasim për krim e korrupsion, vetëm ta shohësh pak pasurinë tënde prej kur ke filluar të punosh në institucione e kuptojmë kush është i përfshirë në krim e korrupsion”, ka deklaruar Haxhiu.
Kritika ka pasur edhe partia tjetër opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës. Deputeti Driton Selmanaj ka thënë se LDK-ja vazhdimisht ka ngritur shqetësimet nga mënyra se si Qeveria dhe KEK-u e kanë menaxhuar krizën energjetike, nga shtrenjtimi i faturave të energjisë e deri te subvencionimi.
“Presim që ky hetim penal mos të ndalet derisa të zbardhet e vërteta, deri në detajet e fundit, përfshirë edhe rolin e ambasadorit Martin Berishaj, ministres së Ekonomisë dhe kryeministrit Kurti në gjithë këtë proces. Jemi të bindur se zotëri Krasniqi nuk ka qenë i vetëm në këto aktivitete shumëmilionëshe dhe të paligjshme”, ka thënë ai.
Duke i mohuar akuzat e opozitës, ministrat e Qeverisë thanë se Prokuroria nuk e ka treguar efikasitetin e njëjtë edhe kur ata kanë dorëzuar në hetuesi raste të keqpërdorimeve, për të cilat thanë se nuk është dhënë kurrfarë përgjigjeje.
“Kamishi” thotë se i ka çuar pica Mujës në burg, kur akuzohej për ndërhyrje në akreditim
Diskutimet për keqpërdorime dhe korrupsion kanë çuar në përplasje jo vetëm ndërpartiake, por edhe personale të deputetëve të pushtetit dhe atyre të opozitës. Derisa deputeti i VV-së, Armend Muja, ka thënë se KEK-u në kohën e Nagip Krasniqit ka “filluar të lulëzojë”, deputeti i PDK-së, Ferat Shala, e ka akuzuar Mujën për korrupsion në procesin e mëhershëm të akreditimeve. Shala ka thënë se deputeti Bekim Haxhiu e ka nxjerrë Mujën prej burgut, duke përmendur se në burg ia kishte dërguar një picë.
“Me këtë nuk replikoj, pasi kam nevojë të replikojë me kolegun tim Bekim Haxhiu, i cili kur është arrestuar ia ka dërguar një picë në stacionin policor, pasha besën, duke lypur pare për të akredituar universitetet publike. Prandaj, kam replikë me Bekimin që ta ka prurë picën në stacion të policisë dhe të ka nxjerrë prej burgut për korrupsion”, është shprehur ai.
Haxhiu më pas ka folur për rastin e përmendur duke thënë se me kërkesë të familjarëve të Mujës ia kishte dërguar një picë këtij të fundit sa ka qenë në burg i dyshuar për rastin e akreditimit në arsimin e lartë. Por, mohoi se pati ndikim në procesin e lirimit të tij.
“Është e vërtetë kur zotëri Muja ka qenë i arrestuar për korrupsion në rastin e akreditimit, me kërkesën e familjarëve të tij ia kam dërguar një picë në stacion policor, si humanist që jam. Por, asnjë efekt dhe asnjë ndikim nuk e kam pasur në procesin e lirimit të tij. As nuk e di kur është dalë prej burgut dhe as si ka përfunduar rasti i tij”, ka thënë ai.
E kësaj i është përgjigjur Muja. Ai ka thënë se me Haxhiun e Shalën nuk është takuar asnjëherë më herët, përpos në Kuvend.
“Që ta kuptojë popullsia, unë nuk e njoh Ferat Shalën dhe as Bekim Haxhiun, përveç këtu në Kuvend. E dyta, po, unë jam akuzuar, çështje kjo që nuk mund ta kontrollojmë dot, ne kontrollojmë veprimet tona, të dokumentojmë se performanca jonë ka qenë e ndershme. Çfarë mund të bëjmë është t’ia lëmë procesit të drejtësisë, në 12 pika procesi i drejtësisë ka pasur shpallje të pafajshëm”, tha ai.
Haxhiu e ka quajtur “bukëpërmbys” Mujën duke këmbëngulur se e vërteta ka qenë ashtu siç ka deklaruar paraprakisht.
“Zotëri Muja as më shumë, as më pak, ajo çka ka qenë e kam thënë. Mundeni ju me qenë bukëpërmbysë, ajo është çështje jotja”, tha ai.
Diskutimit për “picën” i janë bashkangjitur edhe dy deputetë të tjerë.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ka akuzuar Grupin Parlamentar të partisë së tij se nuk po e lejojnë të marrë fjalën në Kuvend.
“Duhet të jetë hera e fundit që tentohet të ngufatet demokracia në Kuvendin e Kosovës. Nuk duhet si deputet i barabartë që të protestoj sa herë që dua të them diçka në këtë vend, pavarësisht prej qëndrimit që kam. Kështu që, këtë parlament e udhëheq Glauk Konjufca dhe jo Dejona Mihali. Nuk përcaktohet lista e deputetëve nga jashtë Parlamentit të Kosovës”, tha ai.
Atij i reagoi bashkëpartiaku Sali Zyba, duke e pyetur se mos e ka provuar picën e PDK-së.
“Ne kemi mundur t’i ndanim rrugët, por rrugën nuk mundemi me ia ndaluar njëri-tjetrit. Prandaj në këtë moment sa po flet zotëri Abazi, ani pse disa çështje mundet m’i pasë të drejta, këtu ka një heshtje të plotë të subjekteve opozitare. Referuar deklarimit të Ferat Shalës se Kamishi me pica mundet me dërgu apo liru prej burgu dikë, unë e kam një pyetje mos ke provu me kërku picën e PDK-së”, tha ai.
Ndërkaq Abazi iu përgjigj se: “Kur të vjen puna me ngrënë pica të PDK-së, shihemi tjetërkund”.
“Por, po e them me shumë qartësi, zotëri Zyba, mos luaj me fjalë të kota... fakti që zotëri Muja ka qenë në burg dhe fakti që zonja Kusari ka qenë pjesë e ministrive që kanë privatizu Distribucionin e Kosovës janë fakte shumë kokëforta dhe nuk mundesh me i fshi, as me picë dhe as me asgjë”, u shpreh Abazi.
Debati parlamentar për kryeshefin e arrestuar të KEK-ut, Nagip Krasniqi, ka zgjatur mbi gjashtë orë. Krasniqi është arrestuar një javë më parë për shkak të dyshimit se ka kryer veprat “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” , “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Konflikti i interesit”.