Arrestimi i drejtorit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, ka nxitur diskutime mes qeveritarëve, nisur nga kryeministri Albin Kurti, dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës. Kurti e ka akuzuar Prokurorinë duke u shprehur me bindje se në Prokurori ekziston disponim negativ karshi Qeverisë, e për këtë ai ka thënë se më së shumti lidhet me figurën e kryeprokurorin Blerim Isufaj. Nga ana tjetër, KPK-ja e ka vlerësuar të papranueshme gjuhën e përdorur. Zhgënjyes e ka quajtur analisti Artan Muhaxhiri reagimin e Kurtit. Muhaxhiri ka thënë se Kurti e ka tejkaluar një vijë të kuqe me gjuhën e sotme.
“Ishte zhgënjim i madh sepse kryeministri Kurti është politikan që ka pushtet dominues në Kosovë. Prej tij është pritë që do ta krijojë një model të ri të qeverisjes. Ky model i ri është një ndryshim pozitiv nga e kaluara, nëse ka pasur elemente negative. Tani me modelin e ri është pritur që Qeveria të mos i përsërisë ato veprime negative që kanë ndodhur në të kaluarën. Ta bëjë një hap përpara, jo të sillemi në ciklin negativ për faj të të cilit jemi këtu sot. Ajo që ndodhi sot është tejkalim edhe i një vije të kuqe sepse nuk është aspak mirë as për Kurtin as për shtetin që kryeministri të bëjë akuza të tilla për një rast që ka shumë indikacione se mund të jetë korrupsion”, ka thënë ai në emisionin “60 Minuta” në KTV.
Muhaxhiri i ka quajtur gabime reagimet e Kurtit, si për rastin e Krasniqit, ashtu edhe për atë të ambasadorit Martin Berishaj.
“Gabimet që po i bën Kurti janë të pakuptueshme. Edhe me rastin e Martin Berishajt, edhe me rastin e Krasniqit, nuk e kuptoj. Po e jep një pjesë të kredisë së vet morale për dy persona që ka bazë të fortë për akuza korruptive”.
Mbrojtjen e këtyre dy figurave Kurti po e bën nga naiviteti, sipas Muhaxhirit.
“Është naivitet, është një inat tipik ballkanik dhe është frikë për ta pranuar gabimin. E ka një ide absurde që t’i paraqesë njerëzit e VV-së si të pakorruptuar, të pakorruptueshëm dhe sa herë që ka kritikë e zhvendosë terrenin te institucionet”, ka theksuar Muhaxhiri.
Sipas tij, Kurti nuk është dashur të flasë por t’ia lë në dorë drejtësisë. Ka theksuar se distancimi i Qeverisë nga rastet e tilla do të ishte përkrahje për drejtësinë.
“Kjo do të ndikojë shumë në imazhin e Kurtit, sot Kurti duhet t’ia lë duart e hapura Prokurorisë. Kurti duhet të krijojë hapësirë të volitshme për punë në baza meritokratike, por nuk mund të jetë gjykatës dhe vlerësues e legjitimues i të gjitha sferave. Sot e bëri këtë rol dhe ishte shumë zhgënjyes, uroj të mos e bëjë më sepse e cenon imazhin e tij të shtetarit”, ka thënë ai.
Me qasjen që i është dhënë nga pushteti rastit të Krasniqit, Muhaxhiri ka deklaruar se e vë në pozitë negative sistemin e drejtësisë.
“Është jo e duhur dhe shumë negative për Kosovën, sistemin tonë, të tentohet që çdo kritikë, çdo veprim ndaj përfaqësuesve apo njerëzve të Qeverisë të etiketohet si luftë kundër Qeverisë. Tash e ka vendosur një pozitë shumë negative, nëse shpallet i fajshëm Krasniqi, do të thotë ja ishte kundër VV-ja, por nëse shpallet i pafajshëm do të thonë që pati frikë prokuroria, gjyqësia që ta dënonin. Në të dyja rastet do të jetë negative për shëndetin e drejtësisë”, ka shtuar Muhaxhiri.
Muhaxhiri ka folur edhe për takimin e 2 majit mes kryeministrit të Kosovës dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq. Ka theksuar se do të ishte e tmerrshme nëse pranohet një asociacion me kompetenca ekzekutive, ndërsa kompromise, sipas tij, duhet të ketë.
“Ajo që mund ta bëjë Kurti është që ta mbledhë ekspertizën më të madhe të mundshme dhe ta ofrojë idenë e tij për një asociacion që nuk e cenon Kushtetutën, sistemin shtetëror. Ideja është që të mos ketë kompromise të tjera shumë të mëdha. Kompromise duhet të ketë, të dyja palët duhet të bëjnë kompromise, ajo është e pritshme”.