Arbëri

Hoti kritikon reagimet e pushtetit për arrestimin e drejtorit të KEK-ut

Avdullah Hoti

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka kritikuar reagimet e deputetëve e zyrtarëve të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, për arrestimin e drejtorit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi.

Sipas Hotit reagimet e tyre do të kenë pasojë në rrugëtimin e Kosovës dejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës (KE) dhe Bashkimin Evropian (BE).

“Reagimi i pushtetit për arrestimet e ditës së djeshme në KEK, duke e kritikuar dhe kërcënuar organin e akuzës, e jo duke e mbështetur atë dhe kërkuar drejtësi efektive, do të ketë pasoja në rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit të sivjetmë në Këshillin e Evropës e nesër në Bashkimin Evropian”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Hoti i cili aktualisht është deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se kjo do të evidentohet edhe në raportin e BE-së për vendin.

“Jam i sigurt se raporti për vendin i BE-së dhe raporte të tjera të rëndësishme ndërkombëtare do të evidentojnë me notë shumë negative këtë sjellje të mazhorancës në Kosovë ndaj arrestimeve të lidhura me afera të mundshme korrupsioni. Këto reagime duhet thënë se janë të paprecedent”, ka shkruar Hoti.

ka shtuar edhe disa pyetje për zyrtarët që kanë reaguar.

“Pse gjithë kjo frikë nga hetimi i aferave të mundshme korruptive? Pse sulmohet organi i akuzës nga Prishtina e nga Tirana, e nuk dënohet akti i mundshëm korruptiv dhe nuk kërkohet drejtësi? A mos janë këto afera të mundshme korruptive të lidhura me persona më larg dhe më lart? Kjo sjellje vë në pikëpyetje ‘gjoja’ reformën në drejtësi. Me këtë sjellje kjo mazhorancë e ka humbur besueshmërinë për çfarëdo reforme që tenton të bëjë në drejtësi”, ka shkuar Hoti.

Sipas tij një pushtet që tenton të pengojnë drejtësinë e minon demokracinë. “Të gjithë ne duhet të tregojmë respektin dhe përkrahjen tonë për zyrtarët e drejtësisë për veprimin e tyre në ndalimin e akteve të mundshme joligjore në KEK. Me këtë veprim po tregohet se drejtësia në Kosovë është funksionale, e pandikueshme dhe e guximshme. Sigurisht se secili është i pafajshëm derisa të provohet ndryshe. Respekti i politikës ndaj drejtësisë tregohet me përkrahje dhe me kërkesë për drejtësi. Respekti tregohet edhe duke mbajtur gojën mbyllur”, ka shkruar Hoti.

Disa deputetë e zyrtarë të Vetëvendosjes e kanë lidhur arrestimin e Krasniqit me mosemërimin e Blerim Isufajt si kryeprokuror.

Prokuroria Speciale, të mërkurën ka njoftuar se është arrestuar drejtori i KEK-ut, Nagip Krasniqi. Ai sipas Prokurorisë, është arrestuar për shkak të dyshimit se ka kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” , “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Konflikti i interesit”.

ar