Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Reagime kundër Bregoviqit në Korçë

Vera e festave të birrës, kulinarisë dhe artit në Korçë ka kaluar në plan të dytë. Paralajmërimi se këngëtari kontrovers kroato-serb, Goran Bregoviq do të jetë mysafir në një nga mbrëmjet e “Korça Beer Fest”, ka nxitur reagime të gjera publike. Rrjetet sociale janë vërshuar nga kundërshtimet që Bregoviq të koncertojë në Korçë midis datave 18 deri 22 gusht.

Në protestën e lajmëruar për të dielën, janë mbledhur vetëm katër persona.

Reagim ka pasur edhe “Birra Peja”. Nëpërmjet një njoftimi në Facebook, ka njoftuar për tërheqjen e tyre nga festa.

“Në momentin që kemi kuptuar se Festivali i Birrës në Korcë ka ftuar këngëtarin Goran Bregovic të performojë, Birra Peja është tërhequr nga pjesëmarrja dhe mbështetja e këtij festivali”, thuhet në reagimin e “Birra Peja”.

Midis artistëve që kanë reaguar janë edhe Dafina Zeqiri dhe Capital T. Që të dy në rrjete sociale kanë thënë se janë tërhequr nga pjesëmarrja në “Korça Beer Fest”.

Pa reaguar nuk ka qëndruar as këngëtari i njohur shkodran Frederik Ndoci. Ai ka thënë se përderisa nëpër sheshet e Beogradit nuk debutojnë asnjëherë artistët shqiptarë, nuk ka pse të interpretojë Bregoviqi në Shqipëri.

Por, pavarësisht krejt zhurmës, Bashkia e Korçës si organizatore e Festës ka heshtur. Nuk ka dalë me një qëndrim në raport me ftesën që i është bërë Bregoviqit, ish-anëtar i rock-grupit “Bijelo Dugme”. Kënga e tij “kallashnikov” është vlerësuar se ka qenë frymëzim i grupeve paramilitare që kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovë më 1998 dhe 1999.

Bregoviqi ka pasur qëndrime kritike ndaj luftërave në ish-Jugosllavi, por nuk ka asnjë distancim publik ndaj krimeve serbe në Kosovë. Në vitin 2006 ai kishte performuar në Tiranë dhe ishte dekoruar me “Çelësin e Tiranës” nga Edi Rama, asokohe kryetar bashkie e tash kryeministër i Shqipërisë.

Artikuj të ngjashëm