Kulturë

Bregoviqi “ndez” Korçën me muzikë rome, gazi lotsjellës mbetet periferik

Pak minuta para orës 22:00 të së dielës, këngëtari serbo-kroat është ngjitur në skenën e “Korça Beer Fest-it”. Paraprakisht, moderatorët kanë bërë shumë thirrje për qytetari e kanë dhënë mesazhe se kultura lidh popujt. Por, lidhja e Bregoviqit me publikun nuk ka qenë krejt në nivel. Të paktën disa persona janë shoqëruar për në stacionin policor të Korçës, pasi kanë tentuar ta ndërpresin koncertin. Këngë shqipe, serbe e aso me motive rome e kanë shoqëruar krejt interpretimin

“Pucaj” është urdhri me të cilin Goran Bregoviq ua ka bërë me dije bashkëpunëtorëve të tij se performanca duhet të fillojë. Pak minuta para orës 22:00 të së dielës, këngëtari serbo-kroat është ngjitur në skenën e “Korça Beer Fest-it”. Paraprakisht, moderatorët kanë bërë shumë thirrje për qytetari e kanë dhënë mesazhe se kultura lidh popujt. Por, lidhja e Bregoviqit me publikun nuk ka qenë krejt në nivel.

Të paktën disa persona janë shoqëruar për në stacionin policor të Korçës, pasi kanë tentuar ta ndërpresin koncertin. Këngë shqipe, serbe e aso me motive rome e kanë shoqëruar krejt interpretimin. Publiku ka qenë goxha i numërt, përderisa atmosfera e krijuar nga Bregoviqi me bashkëpunëtorë i ka dhënë fund për sivjet asaj që njihet si festa e birrës në qytetin e serenatave.

Bregoviq: “Natë e çmendur”

Pasi ka dhënë sinjal për ta nisur performancën me “pucaj” (gjuaj), Bregoviqi është kthyer prapa në kohë sa i përket krijimtarisë së tij. Mbrëmjen e ka nisur me “Kosovska”. Është kënga e vetme shqipe e kënduar gjatë kohës kur në ish-Jugosllavi ishte goxha yll me rock-grupin “Bijelo Dugme”. Bregoviq jo rastësisht ka nisur performancën me këtë këngë. Qysh prej fillimit të muajit, kur është bërë e ditur se pjesë e ngjarjes pesëditore do të jetë edhe 71-vjeçari Bregoviq, reagimet kanë qenë të ashpra. Shumë artistë shqiptarë janë tërhequr nga “Korça Beer Fest”. Por, bashkia e udhëhequr nga Sotiraq Filo nuk është zmbrapsur aspak. Fillimisht ka heshtur e më pas është munduar të arsyetohet për koncertin.

Pak para se t’ia mësyjë skenës, Bregoviqi për mediat shqiptare ka thënë të jetë i lumtur që është në Shqipëri.

“Jam i lumtur që jam këtu. Jam vërtet i lumtur. Shpresoj që do t’ju pëlqejë koncerti sonte. Është verë dhe duhet të bëjmë qejf. Ka dy vjet që nuk kemi pasur koncert. Do të jetë një natë e çmendur”, ka thënë ai. I njohur edhe si “Brega”, artisti kontrovers i është kthyer Shqipërisë pas më shumë se një dekade. Më 2006 ai kishte koncertuar në Tiranë. Asokohe kryetar bashkie ishte kryeministri i tanishëm i Shqipërisë, Edi Rama. Bregoviqit i kishte dhënë dekoratën më të lartë të qytetit, “Çelësin e Tiranës”.

E “çelësi” i polarizimit të skajshëm pro e kundër programit të sivjetmë të “Korça Beer Fest-it”, Goran Bregoviq, të dielën ka kënduar krejt pak. Më shumë ka asistuar për bashkëpunëtorët e mbledhur në bendin e quajtur “Weding and funeral band” (Bendi i dasmave dhe funeraleve). Vetë ka luajtur në kitarë, përderisa barra e këndimit u ka rënë bashkëpunëtorëve. Muzika me motive rome ka mbizotëruar gjatë gjithë kohës.

“Më falni, se nuk e di gjuhën tuaj. Do të luaj për ju sonte diçka të re”, ka thënë ai për të pranishmit, para se të nisë koncerti. Transmetimi live i koncertit, ku “Brega” ishte i veshur në të bardha, nuk e ka pasqyruar krejt atë që ka ndodhur.

Gaz lotsjellës dhe ndërhyrje policore

Image
Pak kohë pasi ka nisur performanca e Bregoviqit, disa të rinj kanë tentuar ta bëjnë të pamundur qëndrimin e publikut para skenës. Kanë hedhur gaz lotsjellës. Forca të shumta policore janë kujdesur për sigurinë. Një pjesë e njerëzve janë larguar pasi nuk kanë mundur të qëndrojnë në turmë shkau i gazit lotsjellës.

Pak kohë pasi ka nisur performanca e Bregoviqit, disa të rinj kanë tentuar ta bëjnë të pamundur qëndrimin e publikut para skenës. Kanë hedhur gaz lotsjellës. Forca të shumta policore janë kujdesur për sigurinë. Një pjesë e njerëzve janë larguar pasi nuk kanë mundur të qëndrojnë në turmë shkau i gazit lotsjellës. Policia ka ndërhyrë duke prangosur e dërguar në stacion policor disa të rinj. Në skenë nuk është ndier fare krejt kjo situatë, përderisa pjesa tjetër e publikut ka vazhduar vallëzimin pa ndonjë problem për më shumë se një orë. Por, siç ndodh zakonisht në koncertet e kohëve të fundit të Bregoviqit, zëri i tij është ai që dëgjohet më së paku. Paraprakisht, skena ka pritur “Hot Club Tirana” dhe korin “Lira” të Korçës.

Të pranishmit, të paktën ata që kanë folur për mediat shqiptare, kanë treguar se arsye e fortë për të qenë të dielën në Korçë ishte Bregoviqi.

“Kemi ardhur nga Durrësi. Kemi ardhur për këtë Bregoviqin”, ka thënë një prej qytetarëve rreth të pesëdhjetave. Në njëfarë forme, pos që ka shprehur simpati për këngëtarin, edhe ka bërë thirrje për qetësi e qytetari. Thirrje për qytetari ka bërë edhe Bashkia e Korçës.

Bashkia të shtunë ka njoftuar se ka paralajmëruar që “Kosovska” është kënga shqipe të cilën e ka zgjedhur Goran Bregoviqi për ta hapur koncertin në Korçë.

“Ai me muzikën e tij të mrekullueshme dhe publiku i festës me mikpritjen entuziaste do të japin nesër nga Korça mesazhin se arti dhe kultura janë ura miqësie që lidhin popujt”, ka njoftuar Bashkia.

Reagimet e tërheqjet nga festivali

Por, sivjet vera e festave të birrës, kulinarisë dhe artit në Korçë ka kaluar në plan të dytë. Paralajmërimi i paradoditshëm se Bregoviq do të jetë mysafir në një nga mbrëmjet e “Korça Beer Fest-it” ka nxitur reagime të gjera publike.

Ishte tifo-grupi “Tifozët Kuqezi” që i kishte bërë thirrje Bashkisë së Korçës që të tërhiqet nga agjenda e planifikuar. Për këtë ishte hapur edhe një peticion online, i cili ishte nënshkruar nga rreth 6 mijë veta.

Reagime ndaj këngëtarit serb kanë bërë edhe plot artistë e moderatorë nga Kosova e Shqipëria: Eva Murati, Vesa Luma, Big Basta, Besa Kokëdhia, reperi Noizy, etj.

Ndërkaq këngëtari nga Prishtina, Capital T, ka njoftuar se ka hequr dorë nga performanca e tij në Festivalin e Birrës në Korçë për shkak të ardhjes së paralajmëruar të këngëtarit serb. Njëjtë ka vepruar edhe Dafina Zeqiri. Më pas edhe këngëtari Shemsi Krasniqi – Shemi ishte tërhequr nga “Korça Beer Fest”.

Me tone shumë kritike ishte shprehur edhe këngëtari e tekstshkruesi shkodran, Fredrik Ndoci, i cili nëpërmjet një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook kishte thënë se arti është art dhe armiqësia mbetet armiqësi.

“Përderisa nëpër sheshet e Beogradit nuk debutojnë asnjëherë artistët albanezë internacionalë dhe nacionalë, nuk e mendoj se ne duhet të heqim brekët vetëm për hir të artit apo joluftënxitjes ballkanike, ndërsa ata (pala tjetër) të gjejnë popuj apo etni që pasi i kanë dhunuar, të vazhdojnë përdhunimin shekullor”, kishte shkruar Ndoci.

Pa distancim nga krimet serbe në ish-Jugosllavi

Me një karrierë muzikore gjatë dy dekadave të fundit të ish-Jugosllavisë, Goran Bregoviqi ishte pjesë e rock-grupit “Bijelo Dugme”. Në skenën artistike jugosllave, që përshkohej nga trendë modernistë muzikorë, krijimtaria e këtij bendi dhe homologëve të tyre përshkohej nga një “turbo-folk” ndikimesh kulturore, përfshirë edhe aso të muzikës rome. Me shkatërrimin e pashmangshëm të Jugosllavisë, jetëgjatësia e shumicës së këtyre grupeve do të ishte çështje kohe. Sipas njohësve të rock-skenës jugosllave, plot nga këto grupe iu rikthyen elementeve nacionaliste për të rifituar audiencat e tyre.

Ithtar i jugosllavizmit edhe kur gjithçkaja kishte marrë tatëpjetën, këngët e Bregoviqit megjithatë do të vijonin të afektonin një pjesë të popullatës serbe. Hiti i tij “Kalashnikov” ishte kthyer në këngën e përzemërt të paramilitarëve serbë në Bosnjë. Pikërisht me këtë këngë e ka mbyllur interpretimin e tij në Korçë.

Me qëndrime kritike ndaj luftës brenda-jugosllave, “Brega”, sidoqoftë, nuk ka asnjë distancim publik ndaj krimeve dhe gjenocidit serb në Kosovë. Ai sivjet është nderuar me çmim nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, krahas rockerit tjetër serb, Bora Gjorgjeviq. Ky i fundit të enjten bashkë me grupin e tij “Riblja Čorba” ka interpretuar në Leposaviq.

Bregoviqit, i lindur në Sarajevë nga një baba kroat dhe nënë serbe, më 2015 i ishte ndaluar hyrja në Ukrainë, pasi kishte mbështetur hapur aneksimin rus të Krimesë në një koncert që e mbajti në këtë vend. Në prill të po të njëjtit vit, Bregoviqit i ishte ndaluar performimi në “Life Festival”, në Poloni, me arsyetimin se deklaratat e tij ishin “në kundërshtim me vlerat e shpallura nga festivali”.