Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ramosaj: Uroj që të mos përsëriten kurrë ngjarjet e të mërkurës

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj uron që e mërkura e 8 shtatorit të mos përsëritet kurrë.

Dita e mërkurë ishte mjaft e rëndë, ku paradite vdiqën dy fëmijë në Ujzë të Gjakovës, si pasojë e një zjarri. Më pas në mbrëmjen e të mërkurës ndodhi vrasja e dyfishtë në Pejë, ku u vra kandidati i PDK-së për kryetar të Pejës, Astrit Ademaj dhe ish-kandidati nga kjo parti për kryetar të Deçanit, Blerand Kadriaj.

Po ashtu në mbrëmjen e të mërkurës u dogj Spitali COVID në Tetovë, ku numri i viktimave ka shkuar në 14.

“E mërkura që uroj të mos përsëritet kurrë më! Mëngjesi i djeshëm na tronditi me zjarrin në fshatin Ujzë në Gjakovë, ku humbën jetën dy fëmijë̈ të familjes Sadrijaj! Mbrëmja na tronditi me vrasjen e dyfishtë në Pejë ku humbën jetën Astrit Ademaj nga Peja dhe Blerand Kadrijaj nga Rastavica e Deçanit. Në orët e vona tragjedia në Tetovë që na shokoi tërë̈ kombin! Ngushëllime familjes Sadrijaj nga Gjakova, familjes Ademaj nga Peja dhe Kadrijaj nga Deçani! Lutemi për Tetovën!”, ka shkruar Ramosaj.