Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Caktohet masa e paraburgimit për vëllain e Astrit Ademajt, dyshohet për vrasjen e Kadrijajt

Është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji për Avni Ademajn, vëllai i Astrit Ademajt që u vra të mërkurën në Pejë. I pandehuri Avni Ademaj dyshohet se në këtë ngjarje e ka vrarë Blerand Kadrijajn.

Ademaj ishte kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Pejës në zgjedhjet e tetorit, ndërsa Kadrijaj kishte qenë kandidat i PDK-së për kryetar të Deçanit në zgjedhjet e shkuara.

Gjykata Themelore në Pejë ka dhënë detaje se si dyshohet që ka ndodhur ngjarja.

Sipas njoftimit, të mërkurën, rreth orës 20:15, Blerand Kadrijaj bashkë me një dëshmitar L.L. kishin shkuar në një lokal për t’u takuar me Astrit Ademajn, që ishte bashkë me të vëllanë. Njoftimi thotë se të dy viktimat pas acarimit të situatës kishin nxjerrë armët dhe për një moment gjersa viktimat po fjaloseshin i pandehuri Avni Ademaj ia ka marrë armën të vëllait dhe me të njëjtën e ka gjuajtur Blerand Kadrijaj. Në të njëjtën kohë, Kadrijaj ka shtënë në drejtim të vëllezërve Ademaj. Si pasojë e të shtënave, vdiqën Kadrijaj dhe Astrit Ademaj. Avni Ademaj ka marrë lëndime në shuplakë të dorës së majtë.

Me këto veprime, Avni Ademaj dyshohet për veprën penale të vrasjes dhe armëmbajtjes pa leje.