Arbëri

Ramosaj ka një kërkesë për qytetarët e Deçanit pas vrasjeve në Gllogjan

Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, u ka bërë thirrje qytetarëve që sot në ora 16:00 të ndezin qirinj në qendër të qytetit, në shenjë proteste dhe solidarizimi me familjet që humbën të dashurit e tyre në ngjarjen e së premtes mbrëma në Gllogjan.

“Të dashur qytetarë të komunës së Deçanit. Ju ftoj që sot, në ora 16:00, të takohemi në qendër të qytetit, për të ndezur qirinj në shenjë proteste dhe solidarizimi me familjet që mbrëmë tragjikisht humbën më të dashurit e tyre! BR”, ka shkruar Ramosaj në Facebook.

Ai po ashtu ka kërkuar që kushdo që ka informacione rreth krimit, të bashkëpunojnë me institucionet relevante.

Tre persona janë vrarë dhe një tjetër është plagosur pasi një person ka gjuajtur me armë zjarri në drejtim të autobusit me nxënës, që po qarkullonte nga Gjakova për në Gllogjan të Deçanit, rreth orës 19:00 të së premtes.

Dyshohet se i dyshuari ka gjuajtur me kallashnikov derisa ka qenë i maskuar. Ende nuk është zbuluar identiteti i tij.

Ndërkohë, në mesin e të vrarëve është shoferi i autobusit nga fshati Skivjan i Gjakovës, dhe dy nxënës të shkollave të mesme, nga fshati Gllogjan.

Policia është duke hetuar disa pista për ngjarjen tragjike.