Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë rënë në lojën e kryeminsitrit të Kosovës dhe liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Ramadani në një postim në Facebook ka thënë se të dyja kanë bërë gabim pasi “është gabim të besohet se Kurti ka vullnet të mirë”.
“Në lojën e Kurtit kanë rënë fillimisht LDK, pastaj edhe PDK. Manovrim i tij. Manipulim i tij. Gabim kanë bërë të dyja. Aleanca qëndroi drejt! Është gabim të besohet se Kurti ka vullnet të mirë. Takimet nuk kanë qenë asnjëherë për marrëveshje. Takimet kanë qenë për blerje kohe dhe për fotografi. ALEANCA mbeti e vetmja që e lexoi lojën e Kurtit. Që nga fillimi e deri në fund, Aleanca nuk u lëkund fare dhe e tha veç të vërtetën!” – ka shkruar Ramadani në Facebook.
Afati i fundit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës mbetet 6 tetori. Në rast dështimi atëherë shkohet automatikisht në zgjedhje të parakohshme.
Të shtunën Kurti ka pritur në takim kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza dhe ata të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Nuk është arritur ndonjë marrëveshje. Hamza pas takimit ka thënë se për presidentin do të bisedohet pasi të ndryshohet Ligji për Specialen.
Ekzekutivi i Kosovës të premten mbrëma i ka hapur rrugë nismës së propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Në një mbledhje elektronike, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin. Sipas njoftimit zyrtar, është konstatuar se nuk ekzistojnë pengesa ligjore për procedimin e këtij projektligji.
Propozimi i Partisë Demokratike të Kosovës për ta ndryshuar Ligjin për Gjykatën Speciale përmban dispozita që synojnë t’ia kufizojnë mandatin lëndor, edhe kohor e edhe territorial kësaj gjykate me seli në Hagë.
PDK-ja pati refuzuar takimet me Vetëvendosjen para verdiktit të Gjykatës Speciale ndaj katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo parti pati çuar në Kushtetuese edhe çështjen e konstituimit dhe formimit të Qeverisë, por që ky institucion i cilësoi si jo antikushtetuese.
PDK-ja ka kërkuar që Kuvendi të ndryshojë Ligjin për Gjykatën Speciale, duke ia kufizuar mandatin, pas dënimit të Hashim Thaçit e Jakup Krasniqit me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselit me 18 e Rexhep Selimit me 13. Ata u dënuan nën akuzat për krime lufte. Me anë të ndryshimeve ligjore në Partinë Demokratike synojnë që mandati i Gjykatës Speciale të kufizohet në trajtimin e krimeve të pretenduara në raportin e Dick Martyt, si dhe të vendoset monitorim ndërkombëtar i punës së saj. Ndërsa për krimet e luftës, për të cilat u dënuan katër ish-krerët e UÇK-së, projektligji i propozuar parasheh që ato të gjykohen në Kosovë.