Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se vendimi për mbylljen e përkohshme të Pishinës së Gërmisë ishte veprim i motivuar politikisht dhe jo si masë për kujdes ndaj qytetarëve.
Inspektorati Sanitar i Ministrisë së Shëndetësisë më 24 korrik vendosi ta mbyllë Pishinën e Gërmisë me arsyetimin se uji nuk i plotëson standardet, sipas analizave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK). Por një ditë më vonë, IKSHPK-ja doli me njoftim se pas analizave përfundimtare është parë që uji i plotësohen standardet.
Në një postim në Facebook, Rama ka ngritur dyshime për kohën e marrjes së vendimit për mbylljen e pishinës, që sipas tij ndodhi vetëm disa orë para mbajtjes së një ceremonie publike ku ai pritej të shpallte kandidaturën për një mandat të dytë si kryetar i Prishtinës – në amfiteatrin e kësaj pishine.
“Dje, më 24 korrik, në bazë të rezultateve jo të plota e jo përfundimtare të mostrave të ujit, u mor vendimi për mbylljen e pishinës. Vetëm një ditë më pas, më 25 korrik, analizat përfundimtare të IKSHPK-së treguan se uji është brenda standardeve të lejuara dhe pishina u rihap për publikun”, ka deklaruar Rama.
Ai ka akuzuar se po përdoren institucionet shtetërore për kalkulime politike në prag të zgjedhjeve, duke e quajtur këtë “përdorim të frikës dhe alarmit si mjet politik”.
“Krijimi i panikut në publik është moralisht i dënueshëm dhe ligjërisht i sanksionueshëm”, shtoi Rama, duke apeluar për ruajtjen e integritetit profesional nga zyrtarët publikë.
Kryetari i Prishtinës theksoi se institucionet duhet të shërbejnë me transparencë dhe përgjegjësi, dhe se qytetarët nuk duhet të trajtohen si mjete elektorale.