Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, sot në Prishtinë ka thënë se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është “kërcënuar” për dy vjet nga Prokuroria e Specializuar në Hagë, pasi sipas tij, nuk lejoi që prokurorët të kërkonin për “prova” edhe në zyrën e Presidentit.
Rama tha se Osmani nuk lejoi prokurorët që ta “dhunonin” zyrën e institucionit që udhëheqë, raportoi EO.
“Tani, mund të jetë sekret shtetëror këtu në Kosovë, por nuk është sekret shtetëror edhe për mua që presidentja e Kosovës është kërcënuar. Dhe këtë gjë nuk e dini sepse nuk është thënë asnjëherë, por po e them sot. Është kërcënuar sepse nuk ka lejuar që prokurorët të dhunonin zyrën e institucionit të Presidentit të Kosovës, se me demek do të kërkonin edhe aty provat e krimeve kundër njerëzimit, gjë që natyrisht do ta vendoste Kosovën në sytë e botës si një shtet ku deri në zyrën e Presidentit gjenden prova për krime kundër njerëzimit. Dhe kërcënimi i presidentes ka zgjatur dy vjet. Por, për nderin e saj dhe nderin e Kosovës, ajo e ka ndaluar një gjë të tillë”, ka theksuar Rama në ceremoninë e promovimit të librit “Kur heshtja flet” të ish-ambasadorit Ahmet Shala.
Rama ka bërë thirrje për drejtësi për ish-krerët e UÇK, në Hagë.
Ai shtoi se, nëse pretendimet e Prokurorisë në Hagë do të konsideroheshin të drejta, atëherë përgjegjësia do të duhej të shtrihej edhe më gjerë, duke përmendur udhëheqësit perëndimorë që mbështetën ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë.
“Në qoftë se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi duhet të varrosen për së gjalli për luftën dhe për çfarë ka ndodhur gjatë luftës në Kosovë, atëherë duhet të vazhdojnë arrestimet, të arrestohet Bill Clinton, Javier Solana, Tony Blair dhe kryeministrat e tjerë të vendeve që i dhanë dritën jeshile bombardimeve të NATO-s”, ka deklaruar Rama.
Rama po qëndron sot për vizitë në Kosovë ku është takuar me presidentet Vjosa Osmani.
Ai gjatë ditës do të takohet edhe me kryeministrin Albin Kurti.
Vizita e Ramës në Kosovë po zhvillohet në prag të përvjetorit të 18-të të Pavarësisë.