LAJMET E MBRËMJES

Rama nxjerr “sekretin”: ZPS-ja kërcënoi Osmanin

Edi rama osmani

Një sekret që tha se nuk është thënë asnjëherë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka shpalosur në Prishtinë. Në promovimin e librit të ish-ministrit e diplomatit, Ahmet Shala, Rama ka treguar se si presidentja Vjosa Osmani është kërcënuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, pasi nuk lejoi që në Presidencë të kërkohen prova kundër Thaçit

Gjykata Speciale është më politike sesa gjykatat e Serbisë në raport me Kosovën, ka thënë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të hënën.

Sipas Ramës, prokurorët e Speciales kanë synuar që prova kundër ish-presidentit Hashim Thaçi të kërkojnë edhe në Zyrën e Presidentit.

“Tani, mund të jetë sekret shtetëror këtu në Kosovë, por nuk është sekret shtetëror edhe për mua që presidentja e Kosovës është kërcënuar. Dhe këtë gjë nuk e dini, sepse nuk është thënë asnjëherë, por po e them sot. Është kërcënuar, sepse nuk ka lejuar që prokurorët të dhunonin zyrën e institucionit të presidentit të Kosovës, se me demek do të kërkonin edhe aty provat e krimeve kundër njerëzimit, gjë që natyrisht do ta vendoste Kosovën në sytë e botës si një shtet ku deri në Zyrën e Presidentit gjenden prova për krime kundër njerëzimit”, ka thënë Rama gjatë qëndrimit në Kosovë, ku veç tjerash mori pjesë edhe në promovimin e librit të ish-ministrit e diplomatit, Ahmet Shala.

Tek ka folur për gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, kryeministri Rama ka thënë se aktiviteti i tyre nuk ka lidhje me terrorin, me spastrime etnike e me përdhunime.

“Asgjë. Ata nuk u armatosën për të imponuar sundimin e tyre në një territor të huaj, por për të hequr qafe sundimin e të huajve në tokën e tyre. Dhe faktikisht ata vetë me dorën e tyre e votuan në Parlamentin e Kosovës një gjykatë, e cila në letër është një gjykatë e Kosovës, nuk është një gjykatë për të vendosur në bankën e të akuzuarve Kosovën”, është shprehur ai.

E presidentja Vjosa Osmani ka thënë se gjykimi në Hagë është i padrejtë dhe se lufta që ka bërë UÇK-ja ka qenë e lindur nga nevoja e popullit për liri.

“Ajo nuk ishte akt i impulsit, por përgjigje ndaj një realiteti të padrejtë dhe një shtypje shekullore. Ishte një luftë për të mbrojtur të pambrojturit, ishte një luftë për mbijetesë, dinjitet dhe për të drejtën për jetuar të lirë, të drejtën më sublime njerëzore. Mbrojtja e kësaj të vërtete edhe në shërbim të mbrojtjes të vetë shtetit tonë, por edhe obligim i ynë kundrejt rrugës së vështirë nëpër të cilën kemi kaluar deri te përmbushja e aspiratës sonë shekullore për shtet”, ka theksuar Osmani.

Ahmet Shala, autor i librit “Kur heshtja flet”, ka thënë se libri flet për dhimbjen dhe drejtësinë e vonuar.

“Ky libër nuk lindi për të qenë thjeshtë një botim, lindi si nevojë e shpirtit tim, si një ndjenjë e thellë gjatë e ndrydhur dhe si një zë që shpërtheu fare spontanisht. Nuk shkrova si akademik, por si një njeri i thjeshtë i këtij vendi. Shkrova si një qytetar, qe ka parë, ka dëgjuar dhe ka përjetuar vetë dhimbjen që nuk shuhet, drejtësinë e vonuar”.

Javën e kaluar, procesi gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka hyrë në fazën finale. Gjatës kësaj periudhe, palët kanë paraqitur fjalët përfundimtare. Prokuroria Speciale ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin nga të akuzuarit, e mbrojtja lirimin e tyre.