Arbëri

Qytetarët në hall me rrugët magjistrale që lidhin Gjilanin me qytete të tjera

Ndërhyrjet në rrugën magjistrale Gjilan-Bujanoc, e kanë vështirësuar qarkullimin për më shumë se dy vjet. Banorët janë shprehur të mllefosur me zvarritjet e punimeve, e opozita në Gjilan, krahas Qeverisë qendrore e mban përgjegjës edhe pushtetin lokal për neglizhencë

E papërballueshme për shoferët dhe bizneset është bërë gjendja në një pjesë të magjistrales që lidh Gjilanin me Kamenicën e Bujanocin. Punimet e nisura prej afro dy vjetësh në këtë aks rrugor nuk kanë përfunduar ende, ndërkohë që autoritetet qendrore dhe komunale nuk kanë treguar arsyet e vonesave.

Qytetarët e mllefosur thonë se po bëhet kohë e gjatë që janë të detyruar të lëvizin ose nëpër pluhur, ose nëpër baltë.

“Horror është kjo, s’ka kuptim. A e dini se çfarë po na bëjnë këtu, kjo nuk është normale, është turpi i turpit”, ka thënë Halil Hyseni.

E një tjetër ngasës i veturës e ka përshkruar si “kiamet” gjendjen e rrugëve në drejtim të Ferizajt e Bujanocit.

“Këtu katastrofë është, më shumë nuk po e zgjat, puna që duket nuk do të shpjegohet... Qe dy-tre vjet është në këtë gjendje”.

Ndonëse është në kompetencë të Ministrisë së Infrastrukturës, sipas shefit të asamblistëve të LDK-së në Gjilan, Avdyl Aliu, faj për zvarritjen e punimeve në këtë rrugë ka edhe pushteti lokal.

“Nuk ka angazhim, është fakt që është projekt i Ministrisë, por këtë projekt e ka sjellë angazhimi i Komunës, i qeverisjes së mëparshme edhe angazhim i qeverisjes nuk duhet ndalur, duhet kërkuar mirëkuptim te ministri dhe duhet të bëhet presion që të përfundojnë këto punë”, ka deklaruar Aliu.

Në gjendje të rëndë janë edhe rrugët e tjera magjistrale që lidhin qytetin e Gjilanit me qendrat e tjera në Kosovë, sidomos në drejtim të Ferizajt, ku po ashtu ndërhyrjet vetëm sa e kanë përkeqësuar qarkullimin.

Ministria e Infrastrukturës nuk ka kthyer përgjigje, ndërsa në Komunën e Gjilanit kanë thënë se, edhe drejtori për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë, edhe kryetari i Komunës gjenden në vizita jashtë vendit.

E qytetarët dhe bizneset që ushtrojnë veprimtarinë pranë rrugës kanë paralajmëruar protestë të shtunën.